Kryetari i Degës së tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, dhe njëherësh nënkryetar i Prishtinës, Alban Zogaj, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e fillimit të Vitit të Ri 2025. Përmes këtij urimi, Zogaj ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e degës për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë vitit që lamë pas, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në përgatitjet për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
“Dëshiroj t’ju uroj nga zemra Vitin e Ri 2025, duke ju falënderuar për përkushtimin tuaj të palodhshëm në mbështetje të LDK-së. Ju keni qenë shtylla kryesore e aktiviteteve tona dhe jam i bindur se së bashku mund të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët – rikthimin e LDK-së në pushtet,” ka theksuar Zogaj në mesazhin e tij.
Ai ka apeluar që puna dhe mobilizimi të intensifikohen gjatë ditëve në vijim, duke nënvizuar se zgjedhjet e ardhshme janë një mundësi historike për të rikthyer qeverisjen e LDK-së dhe për të garantuar një të ardhme më të mirë për Kosovën.
Dega e tretë e LDK-së mobilizohet për zgjedhjet: 9 shkurti është dita jonë
“Më 9 shkurt, së bashku do të dëshmojmë se LDK-ja është partia e shpresës dhe e zhvillimit për qytetarët e Kosovës. Me fitoren tonë, rikthejmë jo vetëm vlerat, por edhe mirëqenien dhe dinjitetin e vendit tonë,” ka shtuar ai.
Zogaj e ka përmbyllur urimin me një mesazh të veçantë: “Nga familja jonë për çdo familje shqiptare, ju urojmë një vit të ri plot shëndet, dashuri dhe suksese!”.
Mesazhi i Zogajt ka për qëllim mobilizimin e strukturave dhe të anëtarëve të LDK-së për të siguruar një organizim dhe angazhim maksimal në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë, Dega e tretë e LDK-së ka premtuar vazhdimin e aktiviteteve dhe të fushatës së saj intensive për të arritur suksesin e synuar.
Leave a Reply