Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, njëherësh kryetar i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, është shprehur i bindur se kjo parti do të ketë sukses në zgjedhjet lokale të këtij viti, veçanërisht në kryeqytet. I ftuar në emisionin “Click” në RTV21, Zogaj tha se nëse Lëvizja Vetëvendosje e kandidon Glauk Konjufcën për kryetar të Prishtinës, ai do të mundet nga Përparim Rama.
“Pa asnjë dyshim, me këto punë që janë bërë në Prishtinë, ne jemi të bindur se mandati i dytë i Ramës në Prishtinë… e tregojnë edhe sondazhet që jemi në pozicion shumë të mirë në zgjedhjet lokale”, tha Zogaj.
Ai gjithashtu theksoi se nëse LDK-ja do të kishte numrin e deputetëve që aktualisht i ka Vetëvendosje, do të kishte formuar institucionet shumë më shpejt dhe do të kishte filluar qeverisjen.
“Po t’i kishim 48 deputetë, në dy javët e para do t’i kishim krijuar institucionet. Kjo situatë është rezultat i rrënimit të bashkëpunimit të Vetëvendosjes me partitë tjera… Vetëvendosje do me qeverisë gjithmonë i vetëm me arrogancë. Sistemi politik në Kosovë kërkon bashkëqeverisje”, theksoi ai.
Zogaj konfirmoi se LDK-ja ka refuzuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim në formimin e institucioneve.
“I thamë Lëvizjes Vetëvendosje dhe, normalisht, përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Kurtit”, deklaroi ai duke shtuar se LDK mbetet e përkushtuar ndaj një qeverisjeje gjithëpërfshirëse njëvjeçare.
Ndërsa komentoi kërkesën e Vetëvendosjes për votim të fshehtë për Kryetarin e Kuvendit, Zogaj shprehu shqetësimin për mundësinë e marrëveshjeve të fshehta.
“Ka pasur përpjekje nga Vetëvendosje që të komunikojnë me deputetë të LDK-së. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse dëshirojnë votim të fshehtë – mund të ketë marrëveshje të fshehtë për me kontrabandu zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”, tha ai.
Zogaj kundërshtoi idenë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në të njëjtën ditë duke e quajtur një praktikë të gabuar për demokracinë.
“Ne mendojmë që dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë do të ishte e vështirë për menaxhim, por edhe cenim i demokracisë, sepse qytetarët e kanë të vështirë të zgjedhin dy palë qeveri në të njëjtën kohë. Paraqitja e platformave politike bëhet shumë e vështirë para qytetarit”, theksoi ai.
Lidhur me konsultimet për datën e zgjedhjeve lokale, Zogaj tha se në takimin me Presidenten Osmani ka pasur pajtim që ato të mbahen në mes të tetorit.
“12 apo 19 tetor – nuk kemi problem me këto data, ne jemi duke u përgatitur”, përfundoi Zogaj.
Leave a Reply