Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka deklaruar se protestat e shoqërisë civile kundër bllokadës në Kuvendin e Kosovës janë një zhvillim pozitiv dhe tregues i vetëdijes qytetare për krizën institucionale që po thellohet.
Pas dështimit për herë të 37-të të seancës konstitutive të Kuvendit, Zogaj tha para gazetarëve se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi partinë që i ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare duke nënvizuar mungesën e vullnetit politik për ta zgjidhur ngërçin.
“Edhe sot një dështim i radhës në këtë sagë e në këtë seri të njëpasnjëshme. Po vijmë çdo 48 orë dhe e kemi të njëjtin rezultat. Qytetarët kanë filluar, shoqëria civile ka filluar të protestojë dhe kjo është një shenjë e mirë. Këtë protestë duhet drejtuar tek partia më e madhe në vend, tek fituesja e zgjedhjeve,” deklaroi Zogaj.
Ai shtoi se brenga më e madhe e LDK-së është mungesa e përpjekjeve serioze për të tejkaluar këtë gjendje të bllokuar politike.
“Pa përpjekje serioze për të dalë nga kjo situatë, ne do të jemi kështu edhe në seri të tjera të takimeve,” përfundoi Zogaj duke kërkuar reflektim urgjent institucional dhe politik.
Leave a Reply