Kryetari i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, njëherësh deputet i saj, Alban Zogaj, ka komentuar zhvillimet rreth zgjedhjeve lokale të tetorit duke theksuar se kandidatura e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeqytetin nuk përbën ndonjë shqetësim për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Zogaj tha se LDK është e fokusuar në forcimin e bazës së vet dhe rritjen e mbështetjes që, sipas tij, është rritur dukshëm që nga zgjedhjet e fundit nacionale.
“Ne kemi qenë pak a shumë të përgatitur për kandidaturat eventuale të VV-së, sepse kemi analizuar që një kohë se kush do të kishte pas mundësi me qenë kundërkandidat i Përparimit. Por po e theksoj se nuk ka qenë edhe shumë e rëndësishme kandidati i VV-së,” deklaroi Zogaj.
Ai shtoi se në zgjedhjet e shkurtit 2025, LDK ka shënuar rritje të konsiderueshme në Prishtinë dhe se kjo rritje u reflekton një bazë të fortë për zgjedhjet lokale që po vijnë. “Hyjmë në zgjedhjet lokale të tetorit me një bazë shumë të fuqishme – dyfishi i votës nga zgjedhjet e vitit 2021,” u shpreh ai.
LDK synon të ruajë udhëheqjen e Prishtinës përmes kandidaturës së kryetarit aktual, Përparim Rama, në një garë që pritet të jetë ndër më të ndjekurat politikisht në vend.
Leave a Reply