Zogaj: Jemi në krizë të thellë politike, përgjegjëse partia më e madhe dhe kryeneçësia e saj

Zogaj: Jemi në krizë të thellë politike, përgjegjëse partia më e madhe dhe kryeneçësia e saj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike aktuale në vend duke e cilësuar atë si një krizë të thellë të shkaktuar nga mungesa e vullnetit për kompromis nga partia më e madhe në vend.

Në një deklaratë për media, Zogaj tha se përkundër përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, nuk duhet të harrohet gjendja alarmante në nivelin qendror.

“Sa i përket zgjedhjeve lokale, në funksion i kemi të zgjedhjet lokale, është shpallur data e zgjedhjeve, 12 tetori do të vijë shpejt, jemi në përgatitje. Kjo sagë që po e shohim çdo ditë, ky cirkus bie në hije kur ne tash fokusin e zhvendosim nga zgjedhjet lokale. Por në asnjë koment nuk duhet lënë anash këtë cirk që po ndodh aktualisht dhe krejt ky cirk është si rezultat i partisë së madhe dhe kryeneçësisë së saj për të mos dalë nga kjo krizë politike. Krizë politike jemi dhe jemi në krizë të thellë”, theksoi Zogaj.

Ai shtoi se mosgatishmëria për bashkëpunim dhe mungesa e reflektimit po e thellojnë edhe më shumë krizën institucionale në vend. Sipas tij, është e domosdoshme që krerët politikë të tregojnë përgjegjësi dhe të punojnë për një zgjidhje konsensuale që garanton stabilitet dhe funksionalitet institucional.

Zogaj përfundoi duke paralajmëruar se nëse kriza vazhdon të thellohet, pasojat do të ndihen jo vetëm në nivelin politik, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.