Deputeti dhe kryetari i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, Alban Zogaj, ka bërë të ditur se sot, bashkë me deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësues të tjerë parlamentarë, kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve nga padrejtësitë dhe ngarkesat e reja në sektorin e energjisë.
Zogaj ka theksuar se kërkesa e tyre përmban katër pika kyçe:
- Anulimi ose shtyrja për një vit i liberalizimit të tregut të energjisë, për të mundësuar përgatitje reale të tregut dhe bizneseve.
- Zhvillimi i konsultimeve publike dhe të hapura, në përputhje me ligjin, për çdo vendim me ndikim të madh siç janë tarifat e energjisë.
- Dorëzimi i analizës së plotë dhe vendimit për liberalizimin e tregut në Kuvend, menjëherë pas konstituivit të tij.
- Anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për familjet, si dhe kërkesa për alternativa që nuk rëndojnë jetesën e qytetarëve.
“LDK mbetet e përkushtuar që të jetë zëri i arsyes dhe i mbrojtjes së interesit publik,” tha Zogaj. Ai shtoi se partia nuk do të lejojë që “vendimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” të dëmtojnë konkurrencën e ndershme të bizneseve dhe të rëndojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Ky reagim vjen në vazhdën e pakënaqësive publike dhe politike lidhur me vendimet e fundit të ZRRE-së dhe ndikimet e tyre potenciale në ekonomi dhe mirëqenie sociale.
Leave a Reply