Alban Zogaj ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nga pozita e Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, duke përmbyllur një mandat trevjeçar të angazhimit në shërbim të kryeqytetit. Ai e cilësoi këtë periudhë si një përvojë të jashtëzakonshme, duke falënderuar ekipin me të cilin ka punuar, kryetarin Përparim Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe strukturat e LDK-së, veçanërisht kryetarin Lumir Abdixhiku.
Zogaj sqaroi se dorëheqja vjen si pasojë e zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Kosovës, një përgjegjësi të cilën e pranon me përkushtim të plotë. “Besimi i qytetarëve është shtysa ime më e madhe për të vazhduar punën në një nivel tjetër, tash për të gjithë Kosovën,” u shpreh ai.
Në përfundim të deklaratës së tij, Zogaj theksoi se lidhja e tij me Prishtinën mbetet e pathyeshme dhe se ky nuk është një largim, por një fazë e re në rrugën e tij të shërbimit publik.
Leave a Reply