Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës së bllokuar politike në vend, duke e cilësuar si “absurditet” dhe “turp” faktin që pas 33 tentimeve ende nuk është arritur funksionalizimi i institucioneve shtetërore.
I ftuar në emisionin “Five”, Zogaj theksoi se ky ngërç është pasojë direkte e mungesës së vullnetit politik nga partia që ka dalë e para në zgjedhjet e fundit.
“Në fakt e kam një fjalë, ajo fjalë është ABSURDITET dhe TURP, sepse me të vërtetë është bërë e turpshme në çfarë gjendje jemi aktualisht. 33 tentime, 33 shkuarje në Kuvend, asnjë lëvizje nga pozicioni,” deklaroi ai.
Sipas deputetit të LDK-së, përgjegjësia për këtë situatë bie mbi supet e partisë më të madhe, e cila sipas tij nuk ka bërë përpjekjet e duhura për të dalë nga kriza.
“Kjo përgjegjësi, kryesisht – ne po e theksojmë vazhdimisht – i bie të madhit, partisë së parë, partisë që i ka fituar zgjedhjet. Ajo parti duhet me bërë përpjekje serioze dhe duhet me pas një qasje krejtësisht tjetër nga kjo që ka aktualisht,” theksoi Zogaj.
Kriza politike vazhdon të thellohet në mungesë të një marrëveshjeje për konstituivin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, ndërsa thirrjet për zgjidhje po bëhen gjithnjë e më të forta nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar.
Leave a Reply