Kreu i LDK-së viziton Familjen Rugova dhe zyrtarizon kandidimin e Ukës duke e cilësuar Rugovën si arkitekt të shtetit dhe busull të përhershme drejt Perëndimit
Në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se ka pranuar kërkesën e Familjes Rugova për përfshirjen e Ukë Ibrahim Rugovës në listën zgjedhore të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.
Abdixhiku vizitoi zonjën Fana Rugova dhe anëtarët e familjes, ku edhe u zyrtarizua kandidimi i Ukës. “Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore. Ukë, të priftë e mbara në këtë garë”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se Presidenti Rugova mbetet prijëse morale e politike e Kosovës. Gjatë vizitës, kreu i LDK-së foli edhe për rrugën e vështirë të tri dekadave më parë, për sakrificat e heshtura të familjes Rugova dhe për vendosmërinë e Presidentit, e cila nuk u thye as në momentet më të rrezikshme të historisë moderne të Kosovës.
Në një mesazh të gjatë përkujtues, Abdixhiku e përshkroi Rugovën si njeriun që e ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik dhe që e vendosi Kosovën në hartën ndërkombëtare si çështje të drejtë e të domosdoshme. Ai rikujtoi rrugëtimin e Rugovës nga një familje e përndjekur, drejt formësimit si intelektual dhe prijës i kombit, i shkolluar në Prishtinë dhe Paris nën mentorimin e Roland Barthes.
“Rugova ka vetëm ditëlindje”, tha Abdixhiku duke theksuar se drita dhe trashëgimia e tij nuk shuhen kurrë. Ai e cilësoi Rugovën si busullën perëndimore të Kosovës, zërin e maturisë dhe urtësisë që i mungon shpesh politikës së sotme.
Kreu i LDK-së përfundoi mesazhin me zotimin për ta çuar përpara vizionin rugovian për një Kosovë euroatlantike, të paqes, stabilitetit dhe kulturës politike.
“I paharruar përjetë, President”, u shpreh Abdixhiku.

Leave a Reply