Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për edhe një mandat, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me banorët e lagjeve Banesat e Bardha dhe Mati 1, ku ka prezantuar punët e realizuara gjatë mandatit aktual, projektet që janë në proces, si dhe planet zhvillimore për katër vitet e ardhshme.
Rama tha se përmes një qasjeje të planifikuar dhe vizionare, Prishtina ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit urban, me theks të veçantë në infrastrukturë, ndriçim publik, gjelbërim dhe hapësira për qytetarët. Ai përmendi se lidhja e rrugës “1 tetori” me rrugën “Isa Kastrati”, që kalon nëpër Velani, është një ndër projektet e rëndësishme për lehtësimin e qarkullimit në atë pjesë të qytetit, por përfundimi i saj është penguar nga ndërhyrjet e qeverisë përmes ndërmarrjes së ujësjellësit, që ndaluan finalizimin në kohë të punimeve.

“Kemi bërë shumë dhe kemi projekte konkrete që do ta transformojnë Prishtinën në qytet të gjelbër, të lidhur dhe të jetueshëm. Dëshira ime është që këtë vizion ta vazhdojmë bashkë, edhe për katër vitet e ardhshme,” theksoi Rama para qytetarëve.
Në fund të takimit, Rama zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me banorët, ku u diskutuan nevojat lokale dhe sugjerimet për përmirësimin e jetesës në këto zona duke u zotuar se zëri i qytetarëve do të mbetet udhërrëfyes në çdo vendim të ardhshëm komunal.

Leave a Reply