Rama: Çdo premtim e kemi kthyer në projekt, 12 tetorin e fitojmë pa balotazh

Rama: Çdo premtim e kemi kthyer në projekt, 12 tetorin e fitojmë pa balotazh

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas pjesëmarrjes në inaugurimin e një vepre arti në qendër të kryeqytetit në nderim të personave të zhdukur, ka vizituar lagjen Zllatar. Para banorëve, simpatizantëve të LDK-së, anëtarëve të kabinetit, asamblistëve dhe kandidatëve për Asamble, ai ka folur për punët e kryera, sfidat dhe planet për të ardhmen e Prishtinës.

Rama veçoi përmirësimet në infrastrukturë – rrugë, trotuare, kanalizime, shkolla dhe hapësira sportive duke theksuar se gjatë mandatit të tij është arritur realizimi rekord i buxhetit mbi 80 për qind, niveli më i lartë në historinë e Prishtinës. Megjithatë, ai akuzoi opozitën dhe nivelin qendror për bllokada të vazhdueshme që kanë vonuar projektet.

“Talleshin me ne, thoshin se po vizatojmë. Por kur i realizuam projektet dhe i buxhetuam, filluan të na bllokojnë në mënyrë joligjore. Vitin e kaluar e kemi pasur realizimin rekord të buxhetit mbi 80 për qind. Kurrë më parë nuk është bërë kaq shumë punë në kryeqytet. Atë që e themi, e bëjmë, jo vetëm për këtë zonë, por për gjithë Prishtinën e më pas për tërë Kosovën”, tha ai.

Duke shprehur bindjen për një fitore të LDK-së në zgjedhjet e 12 tetorit pa balotazh, Rama shtoi se puna dhe energjia e re do të sjellin zhvillim edhe në katër vitet e ardhshme.

Një ndër sukseset e përmendura ishte transporti urban. Ai njoftoi se aktualisht janë 86 autobusë në shërbim dhe se së shpejti do të ketë shtesa për të mbuluar edhe zonat që ende mbeten jashtë rrjetit. “Ka përmirësim të shërbimeve dhe reduktim të pritjeve”, u shpreh ai.

Kryetari përmendi edhe instalimin e 25 mijë trupave ndriçues në të gjitha lagjet e kryeqytetit, si dhe rritjen e numrit të shkollave me mësim ditor nga 5 në 12. Sipas tij, tashmë nxënësit përfitojnë shujta të ngrohta, kurrikulën digjitale dhe sensorë për matjen e cilësisë së ajrit në çdo klasë. “Kjo ka lehtësuar edhe familjet në aspektin ekonomik, pasi nuk u duhet më të transportojnë fëmijët në trafik e të humbasin kohë e mjete”, tha Rama.

Ai u ndal edhe te një nga problemet më të mprehta, qentë endacakë. Sipas tij, në Prishtinë dikur kishte rreth 3 mijë qen, por tashmë kryeqyteti ka për herë të parë një strehimore. “Ka më shumë siguri në rrugët tona. Deri tani janë adoptuar mbi 2 mijë qen, përmes një zgjidhjeje kreative me vetëm 50 euro në muaj për çdo qen të adoptuar. Gjithashtu janë vendosur 22 pika ushqimi në gjithë qytetin. Megjithëse buxheti është i bllokuar, projekti vazhdon dhe me zhbllokimin e fondeve do të minimizohet edhe më shumë ky problem”, tha ai.

Në vazhdim, Rama akuzoi nivelin qendror për bllokimin e projekteve madhore, si unaza e jashtme e kryeqytetit dhe rregullimi i shesheve. “Unaza e kryeqytetit ka mbetur pezull për shkak të një krize financiare të mbrapshtë. Ne jemi nikoqirë të Lojërave Mesdhetare Olimpike të vitit 2030 dhe kjo infrastrukturë nuk ka si të mos bëhet. Për këto bllokada kemi ngritur edhe padi dhe dikush duhet të shkojë në burg”, theksoi ai.

Në fund, Rama siguroi se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe kthimi i besimit të tyre tek LDK-ja janë garanci për zhvillimin e kryeqytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.