Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rezultateve të para të zgjedhjeve të 12 tetorit, ku ka dalë i pari në garën për kryeqytetin.
Në një adresim publik, Rama ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe përkrahjen duke theksuar se procesi zgjedhor dëshmoi pjekurinë demokratike të shoqërisë prishtinase.
“Të dashur qytetarë, dua t’iu falënderoj me gjithë zemër për pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet e lira dhe demokratike të ditës së djeshme. Pjesëmarrja juaj tregon pjekurinë e shoqërisë sonë dhe besimin në vlerat demokratike. Dua t’iu uroj të gjithë kandidatëve që morën pjesë në këtë proces të rëndësishëm – kontributi i tyre e forcon demokracinë, e jep zë shpresave dhe ideve të qytetarëve tanë”, tha Rama.
I pari i kryeqytetit u bëri thirrje përkrahësve që të qëndrojnë të bashkuar në fazën e dytë të zgjedhjeve – balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor.
“Tani, ndërsa shikojmë përpara drejt 9 nëntorit, iu ftoj për mbështetjen dhe besimin tuaj të vazhdueshëm. Së bashku mund të ndërtojmë mbi arritjet tona, të qëndrojmë të bashkuar dhe të formësojmë një të ardhme më të ndritur për qytetin tonë të zemrës”, u shpreh Rama.

Leave a Reply