Prishtina flet për vazhdim: Abdixhiku e Rama përmbyllin fushatën me mesazhe për punë, dinjitet e vizion

Prishtina flet për vazhdim: Abdixhiku e Rama përmbyllin fushatën me mesazhe për punë, dinjitet e vizion

Në tubimin përmbyllës të LDK-së në kryeqytet, Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama bënë thirrje për vazhdim të punës e zhvillimit të Prishtinës duke theksuar se 9 nëntori do të jetë dita e vendimit për të ardhmen e qytetit

Abdixhiku: Të dielën, Prishtina flet për vazhdim me LDK-në dhe Përparim Ramën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në tubimin përmbyllës të fushatës në kryeqytet, ka theksuar se Prishtina është zemra e qytetarisë dhe vendi ku LDK-ja përfaqëson më shumë se një subjekt politik – përfaqëson një mënyrë jetese me vlera, kulturë dhe dinjitet.

“Dhe që ta kemi të qartë të gjithë, Prishtina është kryeqytet. Dhe ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj. Kur Prishtina zgjedh LDK-në, ajo nuk zgjedh vetëm një parti; ajo zgjedh një mënyrë qeverisjeje, një standard, një vlerë,” tha Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja në Prishtinë është simbol i qytetarisë, edukatës dhe dashurisë për qytetin duke rikthyer frymën e ndershmërisë dhe respektit që e karakterizonin dikur jetën publike të kryeqytetit.

“Sot, pas 12 vitesh, Prishtina u kthye sërish në shtëpinë e saj. LDK doli parti e parë. Dhe kjo do të jetë arsyeja pse Përparim Rama të dielën do të vazhdojë mandatin e ri katërvjeçar,” u shpreh Abdixhiku duke nënvizuar besimin e qytetarëve në punën dhe vizionin e LDK-së.

Kreu i LDK-së tha se qytetarët tashmë e dallojnë qartë ndryshimin mes atyre që kërkojnë pushtet dhe atyre që punojnë me përkushtim për qytetin.

“Qytetarët kuptuan përfundimisht dallimin mes atyre që duan pushtet dhe atyre që duan qytet. Mes atyre që flasin për Prishtinën dhe atyre që punojnë për Prishtinën. Mes atyre që e ndotin publikun dhe atyre që e ndërtojnë qytetin, në çdo kuptim,” shtoi ai.

Abdixhiku theksoi se kjo frymë që po ringjallet në Prishtinë nuk është rastësi, por rikthim i moralit politik dhe qytetar që ka munguar gjatë.

“LDK-ja që po ngrihet sot në Prishtinë është LDK-ja e qytetarisë, e dinjitetit, e modernitetit, e mendimit të arsyeshëm. Dhe prej këtu, nga Prishtina që flet e para, do të niset vala e re e ndryshimit për gjithë Kosovën – një Kosovë që beson në vlera, në punë, në integritet, në qytetari,” përfundoi Abdixhiku duke bërë thirrje për unitet dhe vazhdim të rrugëtimit të përbashkët.

Rama: Prishtina është në hartën e botës – misioni im është të mos ndalem

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka dërguar mesazhin e tij përmbyllës para balotazhit të së dielës duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe bashkëecjen gjatë gjithë fushatës.

Rama tha se gjatë javëve të fundit ka ecur rrugëve, lagjeve e fshatrave të Prishtinës duke biseduar me qytetarët për ide, punë e projekte që synojnë një kryeqytet modern dhe me zemër të madhe.

“Këto javë kemi ecë bashkë rrugëve, lagjeve, fshatrave të qytetit tonë. Kemi folë për ide, për punë, për projekte, por mbi të gjitha për dashni ndaj Prishtinës,” tha Rama.

Ai pranoi se rruga për zhvillimin e qytetit nuk ka qenë e lehtë, por asnjë pengesë nuk ka mundur ta ndalë përkushtimin dhe dashurinë për Prishtinën.

“E di, nuk ka qenë e lehtë. Ka pasë pengesa, bllokada, sfida. Por asnjë mur s’mundet me e ndalë vullnetin e mirë. Sepse kur e don qytetin, punon për të edhe kur të pengojnë,” theksoi Rama.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dielën të bashkohen për ta çuar përpara energjinë dhe frymën e punës që i bashkon duke ndërtuar një Prishtinë funksionale, të gjelbër, të mençur dhe me shpirt komunitar.

“Le ta çojmë bashkë përpara këtë energji, këtë dashni, këtë frymë pune që na bashkon. Për një qytet funksional, smart, të gjelbër e me zemër të madhe. Për një Prishtinë që i jep dritë çdo qytetari. Për Prishtinën që punon. Për Prishtinën që bashkon. Për Prishtinën Përtej,” tha Rama.

Në fjalimin e tij, Rama, theksoi se kryeqyteti sot është në hartën e botës, falë punës dhe projekteve që kanë sjellë zhvillim, kulturë dhe energji të re.

“Shikojeni kryeqytetin tonë sot! Prishtina është në hartën e botës! Festivale, koncerte, panaire, konferenca – bota po vjen te ne. A nuk është koha ta vazhdojmë këtë hov? A nuk është koha ta çojmë Prishtinën edhe më lart?”, tha Rama.

Ai u shpreh se është “kryetar i projekteve të mëdha” që nuk ndalet nga pengesat dhe punon me pasion për transformimin e mendësisë dhe ngritjen e qytetit.

“Unë jam ai që nuk e njeh fjalën ‘s’bohet’. Sepse kur punon me pasion, muret me pengesa bahen veç shkallë! E unë nuk ndalem te pengesat – unë i kthej ato në hapa drejt suksesit! Misioni im është i qartë: me e ndryshu mendësinë, me i bë gjanat me vizion, me dashni, me dije! S’e kam nisë këtë rrugë për pak. E kam nisë për shumë – për të gjithë ne”, përfundoi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.