LDK përmbyll fushatën në Prishtinë: Përparimi ka fituar me punë, jo me propagandë

LDK përmbyll fushatën në Prishtinë: Përparimi ka fituar me punë, jo me propagandë

Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama nga tubimi përmbyllës i Lidhjes Demokratike të Kosovës bënë thirrje për mobilizim më 12 tetor duke theksuar punën e bërë dhe projektet që do të vazhdojnë në mandatin e dytë

Abdixhiku: LDK e Përparimi kanë fituar me punë dhe jo me propagandë

Në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Prishtinë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se presin fitore në zgjedhjet e së dielës duke theksuar se LDK dhe kandidati i saj Përparim Rama kanë fituar me punë dhe përkushtim ndaj qytetit.

“Prishtina që u zotuam se do ta duam me plot zemër, flet me shkollë që kanë ndryshuar, flet me mësimin tërë-ditor, me rrugë që lidhen me unaza që marrin jetë dhe lagje që marrin frymë. Kryeqyteti është dëshmia më e mirë e suksesit dhe vizionit të Përparim Ramës. Fëmijët e Prishtinës mësojnë më shumë dhe kanë kushte më të mira. Ne e bëjmë një Prishtinë, do ta bëjmë gjithandej nëpër Kosovë. Prishtina është më e fortë se propaganda, sepse puna e ndershme gjithmonë fiton mbi lojën politike. LDK e Përparimi kanë fituar me punë dhe jo me pallavra”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku: Prishtina nuk ka kohë për lojëra politike, por për qeverisje serioze

Abdixhiku theksoi se projektet e nisura nga administrata aktuale do të përfundojnë gjatë katër vjetëve të ardhshme duke përmendur rrugën “A”, unazën e brendshme dhe ndërtimin e shesheve të reja.

“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente dhe lojëra politike, por ka nevojë për qeverisje serioze. Këtë e ofron vetëm Përparimi dhe LDK-ja. Më 12 tetor qytetarët e Prishtinës do të zgjedhin punën mbi propagandën. Aty ku ata na bllokojnë, ne ndërtojmë; aty ku ata ndajnë, ne bashkojmë; aty ku ata jetojnë nga sharja, ne jetojmë nga shpresa; aty ku ata ushqejnë me frikë, ne ushqejmë me besim”, tha Abdixhiku.

Rama: Prishtina nuk u bllokua kurrë, vazhdojmë edhe katër vjet

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, foli për sfidat gjatë mandatit të tij të parë duke theksuar se pavarësisht pengesave politike nga niveli qendror, Prishtina ka ecur përpara me projekte të mëdha.

“Prishtina nuk u bllokua kurrë. Asnjë lojë politike nuk mundi ta ndalë vizionin për një Prishtinë moderne. Kemi bërë gjëra të mëdha që na kanë qitur në harta botërore. Qytetarët e dinë kush ka ndërtuar ura dhe kush ka ngritur pengesa. Në mandatin e dytë do ta çojmë Prishtinën përtej – me unazën e jashtme, spitalin e kryeqytetit, shkolla dhe çerdhe të reja, qendra sociale dhe fshatin olimpik – zemrën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, tha Rama.

Ai paralajmëroi ndërtimin e parkut më të madh në 25 vjetët e fundit, parkut memorial “Ibrahim Rugova”, memorialit “Adem Jashari”, si dhe ngritjen e qendrës teknologjike dhe të inteligjencës artificiale për të rinjtë e kryeqytetit.

Në fund të tubimit, janë prezantuar edhe kandidatët për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga radhët e LDK-së, ndërsa Abdixhiku dhe Rama bënë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e së dielës.

Do thënë se nga dega e tretë e LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë janë 10 kandidatë.

E ata janë:

  1. Sokol Havolli (nr. 2);
  2. Pëllumb Bajqinovci (nr. 4);
  3. Elmire Nikçi Rexha (nr. 6);
  4. Amir Simnica (nr. 17);
  5. Driton Rukiqi (nr. 22);
  6. Shpend Avdili (nr. 37);
  7. Blerim Sinani (nr. 40);
  8. Astrit Gashi (nr. 46);
  9. Fjolla Vrajolli (nr. 48); dhe
  10. Zela Krasniqi (nr. 51).

Leave a Reply

Your email address will not be published.