LDK mobilizon Velaninë: Tubim i madh elektoral në shkollën “Iliria”, prezantohen kandidatët për zgjedhjet e 28 dhjetorit

LDK mobilizon Velaninë: Tubim i madh elektoral në shkollën “Iliria”, prezantohen kandidatët për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Të katër nëndegët e Velanisë të degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, ka mbajtur një tubim të madh elektoral në Shkollën Fillore “Iliria” në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Tubimi u moderua nga Naer Gashi, kryetar i njërës nga nëndegët, me fokus mobilizimin e plotë të elektoratit në mbështetje të LDK-së dhe kandidatëve të saj.

Kjo degë, e cila në zgjedhjet e fundit ka siguruar rreth 9.900 vota, prezantoi nëntë kandidatët për deputetë duke kërkuar përkrahje të fuqishme në këto zgjedhje të cilësuara si vendimtare.

Naser Gashi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen masive duke theksuar rëndësinë historike të tubimit. “Për 36 vite, asnjëherë nuk ka ndodhur që ky ambient të jetë kaq i mbushur”, u shpreh ai duke rikujtuar edhe periudhat e vështira të regjimit serb. Gashi falënderoi kryetarin e degës së pestë, Shefki Gashin, ish-kryetarin e degës z. Borovci, si dhe kryetarët e katër nëndegëve duke theksuar se kjo degë ka një ekip kandidatësh që mishëron trashëgiminë politike dhe filozofinë e presidentit historik Ibrahim Rugova.

Në tubim foli edhe djali i presidentit historik, Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, kandidat për deputet, i cili vuri në pah rëndësinë simbolike të degës së tretë dhe veçanërisht të nëndegëve të Velanisë. Ai rikujtoi se 36 vite më parë, pikërisht nga Shkolla “Iliria”, u themeluan strukturat e para të LDK-së – aktivet dhe nëndegët e kësaj dege që sot mban me krenari emrin e presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Për mua është privilegj, krenari dhe mbi të gjitha përgjegjësi që të jem kandidat për deputet pikërisht nga kjo degë”, tha Rugova. Ai u zotua se, nëse zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve dhe do të angazhohet për unitet pluralist, demokratik dhe funksional, sipas vizionit të presidentit Rugova, si dhe për krijimin e institucioneve të reja menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, me LDK-në në krye të tyre.

Ukë Rugova theksoi se për këto institucione breza të tërë kanë sakrifikuar edhe jetën, ndërsa sot qytetarët po i gëzojnë frytet e asaj përpjekjeje, ndaj kërkoi më shumë përgjegjësi dhe vetëdije qytetare. Ai vlerësoi ekipin e kandidatëve të degës duke përmendur Alban Zogajn, Elmira Elez-Nikqin, Sokol Havollin, Nazmije Krasniqin, Lumbardh Salihun, Doruntina Malokun – vajzën e heroit të Kosovës, profesor Bejtush Gashin nga AKR dhe Arta Metaj-Govorin duke bërë thirrje për mbështetje më 28 dhjetor.

Kryetari i degës së tretë, Alban Zogaj, e quajti Naer Gashin “kampion të tubimeve” duke theksuar se ky takim shënon mbylljen e fushatës në Shkollën “Iliria”, një nga tubimet e fundit para përmbylljes së madhe që do të mbahet në Pallatin e Rinisë.

Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi simbolikën e veçantë të kësaj shkolle, ku gjithmonë ka votuar presidenti historik Ibrahim Rugova. Zogaj nënvizoi se dega e tretë është një nga degët më të mëdha në Prishtinë, me rreth 9.600 vota në zgjedhjet e fundit, dhe shprehu bindjen se LDK do të dalë edhe më e fuqishme në këto zgjedhje.

“Prishtina po i jep fuqi LDK-së dhe do t’ia japë fuqinë edhe Kosovës duke e çuar LDK-në drejt qeverisë së ardhshme me dr. Lumir Abdixhikun kryeministër”, tha Zogaj duke bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm për ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik dhe për të krijuar institucionet e reja në vitin 2026.

Në këtë tubim morën pjesë edhe ish-kryetari i Prishtinës dhe kandidat për deputet Ismet Beqiri, Vlora Dumoshi, Festim Kabashi, Nafije Rusinovci si dhe shumë personalitete të tjera të LDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.