Nëndega “Matiqani 1” priti në një tubim madhështor liderin e LDK-së dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun, kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, katër kandidatët e kësaj dege për deputet si dhe shumë anëtarë dhe simpatizantë të degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”.
Gashi: Matiqani, histori sakrifice dhe përkushtimi ndaj Kosovës
Në hapje të tubimit, kryetari i nëndegës “Matiqani 1”, Rafet Gashi, përshëndeti të pranishmit duke falënderuar qytetarët e Matiqanit dhe Zllatarit për pjesëmarrjen në këtë organizim madhështor. Ai theksoi rëndësinë e këtij momenti elektoral për të ardhmen e Kosovës dhe veçanërisht për lagjet e Prishtinës që presin ndryshimin.
Në fjalën e tij, Gashi solli në vëmendje historinë e Matiqanit duke përmendur se rrënjët e tij datojnë nga dimri i ashpër i vitit 1878, kur dy familjet e para shqiptare, Krasniqi dhe Gashi, u shpërngulën nga Toplica për shkak të dhunës dhe gjenocidit serb. Ai theksoi se që nga ajo kohë, Matiqani ka qenë një vend i mbushur me sakrifica, por edhe me vendosmëri dhe krenari kombëtare.
“Këtu jetojnë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare – nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi. Ne e kemi ndërtuar këtë lagje me mund dhe djersë, dhe sot jemi këtu për ta çuar përpara këtë vend me vizionin e LDK-së,” u shpreh Gashi.
Ai theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe mobilizimin e qytetarëve për të mbështetur LDK-në dhe liderët e saj. Gashi mirëpriti kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun duke e cilësuar atë si “kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, si dhe falënderoi kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për punën e tij në kryeqytet.
Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje për figurat e shquara të pranishme në tubim, njëherësh duke prezantuar kandidatët e kësaj dege për deputet, Alban Zogajn, Doruntinë Malokun, Ema Nikqin dhe Sokol Havollin.
“LDK është e bashkuar dhe e gatshme për fitore,” theksoi ai duke ftuar qytetarët të angazhohen dhe të përçojnë mesazhin e ndryshimit.
Zogaj: Shpresa për ndryshim po rritet – faleminderit për mbështetjen
Kryetari i degës së tretë të LDK-së, Alban Zogaj, shprehu mirënjohjen e tij për pjesëmarrjen masive në këtë tubim duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të rritjes së entuziazmit për ndryshim.
“Shpresa, dëshira dhe vullneti për një Kosovë më të mirë po rriten çdo ditë. Është një ndjenjë e fuqishme që ndihet në çdo takim, në çdo bashkëbisedim me qytetarët. Kjo është prova se njerëzit duan një qeverisje ndryshe, më të përgjegjshme dhe më të aftë për të sjellë zhvillim,” u shpreh Zogaj.
Ai kujtoi se Matiqani ka dhënë shumë për Kosovën, përfshirë heronjtë si Isa Kastrati dhe martirët e dëshmorët e familjes Imeri.
“Këto sakrifica na obligojnë të punojmë me përkushtim për një të ardhme më të mirë. Ne nuk mund t’i zhgënjejmë ata që dhanë jetën për këtë vend,” theksoi ai.
Zogaj e vlerësoi programin e LDK-së si vizionar dhe të realizueshëm duke garantuar se ai do të sjellë ndryshime të prekshme për qytetarët. Ai u bëri thirrje të pranishmëve që të jenë pjesë e fitores së 9 shkurtit duke përhapur mesazhin e shpresës dhe besimit në LDK.
“Matiqan, ju faleminderit! Fitorja po vjen dhe bashkë do ta ndërtojmë Kosovën që duam,” përfundoi ai.
Rama: LDK-ja garanton 1.5 miliardë euro investime për Prishtinën
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë fjalës së tij theksoi se LDK-ja ka një program të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe veçanërisht për Prishtinën. Ai e vuri theksin te garancia që do të sjellë Lumir Abdixhiku si kryeministër duke premtuar një investim prej 1.5 miliardë eurosh për kryeqytetin.
“LDK-ja ka një program fantastik për Kosovën. Por kur ta lexoni këtë program, paramendoni – vetëm për Prishtinën, ju keni 1.5 miliardë euro të garantuara me kryeministrin e ardhshëm, Lumir Abdixhikun,” u shpreh Rama.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të angazhohen maksimalisht për fitoren e LDK-së duke theksuar se çdo votë është e rëndësishme për të sjellë ndryshimin e pritur.
“Prandaj, unë sot pa e zgjatur shumë, dua vetëm t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju them se duhet të dilni me kokë lart, t’u tregoni të gjithëve – familjarëve, miqve, kolegëve – se fitorja është e jona. Na duhet secila votë, secili njeri, secila ‘kokërr’ për ta hequr këtë qeveri të paaftë dhe të kuqe, që vetëm na ka penguar,” tha ai mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
“Urime fitoren!” përfundoi Rama.
Abdixhiku: Kjo është kryengritja e djathtë – fitorja është e vetmja alternativë
Lideri i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u shpreh i emocionuar për mbështetjen e madhe të qytetarëve të Matiqanit duke e quajtur këtë mobilizim një “kryengritje të djathtë” kundër qeverisë aktuale.
“Ju faleminderit për gjithë këtë mbështetje. Kjo është kryengritje e djathtë tashmë; dhe vetëm fitorja e asgjë më pak ka kuptim tash!”, deklaroi ai.
Abdixhiku rikujtoi mbështetjen që LDK kishte marrë në zgjedhjet lokale për Prishtinën dhe u bëri thirrje qytetarëve që këtë besim ta përsërisin edhe në zgjedhjet parlamentare.
“Para tre viteve e gjysmë, ju na dhatë besimin për Prishtinën, dhe sot po ua kërkoj edhe njëherë për gjithë Kosovën,” tha ai.
Ai prezantoi planin e LDK-së për investime të mëdha në Prishtinë.
“Me qeverinë e re të LDK-së, ne do të investojmë 1.5 miliardë euro për Prishtinën. Do të ndërtojmë një qendër moderne spitalore, Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin e ri Kombëtar, dhe do të sjellim sistemin e mësimit tërëditor në shkollat tona,” premtoi Abdixhiku.
“Ne po fitojmë, dhe këtë herë nuk ka kthim prapa. Kosova ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme, për një lidership që e çon përpara, jo që e ndal,” përfundoi ai.
Leave a Reply