Nëndega “Lagjja e Spitalit 2”, e degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, u bë vendtakimi i radhës zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku u prezantua kandidati për kryeministër, programi i LDK-së, kandidatët për deputetë të kësaj dege dhe u dërgua mesazhi i fitores për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe ky takim, sikurse edhe takimet e tjera të LDK-së, nisi me një minutë heshtjeje në nderim të tre të miturve që vdiqën aksidentalisht nga shembja e një objekti të pabanuar në Jabllanicë të Gjakovës.
Në hapje të tubimit, ushtruesi i detyrës së kryetarit të nëndegës, Mentor Barani, theksoi rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen e vendit dhe ftoi qytetarët të mbështesin me bindje dhe përkushtim LDK-në dhe kandidatin për kryeministër, Prof. dr. Lumir Abdixhikun.
“Sot jemi mbledhur për të konfirmuar vizionin e LDK-së për një Kosovë të zhvilluar, të drejtë dhe evropiane. Në këtë drejtim, nëndega jonë fton të gjithë të pranishmit të mbështesin numrin fitues 124 dhe liderin tonë, Prof. dr. Lumir Abdixhikun, i cili mban numrin 1 në këto zgjedhje. Ai përfaqëson garancinë për progres, bashkim dhe një qeverisje të drejtë,” tha Barani.
Pas tij, u prezantuan katër kandidatët e degës së tretë, të cilët sipas tij, janë të jashtëzakonshëm, që përfaqësojnë jo vetëm “Degën e Presidentit Rugëva”, por mishërojnë profesionalizmin, përkushtimin dhe vizionin për një të ardhme më të mirë për Kosovën.
“Personin, numri i të cilit korrespondon me përqindjen që LDK do të marrë në këto zgjedhje, Prof. dr. Alban Azem Zogaj, kryetari i degës sonë dhe nënkryetari i Prishtinës, me numrin 28. Djali i librashitësit të parë në Prishtinë! Ai mishëron profesionalizmin dhe përkushtimin, një njeri me rrënjë të thella në Prishtinë dhe një vizion të qartë për zhvillimin e Kosovës.
Doruntina Enver Maloku, me numrin 15, e bija e themeluesit të pavarësisë mediatike dhe informimit të lirë, QIK-ut, një simbol i sakrificës dhe guximit.
Elmire (Elez) Nikçi Rexha, me numrin 39, trashëgimtare e një tradite të artit dhe kulturës që e ka pasuruar identitetin tonë kombëtar ndër vite, e bija e themeluesit të Baletit të Kosovës dhe truprojë i presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Prof. dr. Sokol Ymer Havolli, me numrin 40, ekonomist dhe menaxher i spikatur, që ndjek hapat e babait të tij në formimin e brezave të rinj të Kosovës”, tha Barani.
Ai tha se, këta kandidatë janë përfaqësimi i aspiratave tona për një të ardhme më të ndritur. Ata janë shembulli i meritokracisë, i vizionit dhe i përkushtimit për Kosovën.
“Andaj, si nëndegë ju ftojmë që të bëheni ndryshimi më 9 shkurt. Siç ka thënë presidenti historik Rugova, vishuni mirë dhe dilni masivisht në votime, t’i mbështesni këta kandidatë dhe vizionin e LDK-së për një Kosovë të lirë, të fortë dhe të drejtë! Faleminderit!”, tha Barani.
Ndërsa të nominuarit për deputet dhe folësit e tjerë në këtë tubim u shprehën me bindje se LDK-ja është tashmë forca kryesore politike në vend.
“Nëse deri dje kemi punuar për vendin e dytë, sot mund të themi me siguri se LDK-ja është e para,” thanë folësit, për të shtuar se, vizioni i LDK-së për Kosovën është i qartë dhe i pathyeshëm.
“Është koha që qytetarët të besojnë dhe të votojnë për një Kosovë të zhvilluar dhe të integruar në Europë,” u shprehën ata.
Tutje u tha se, LDK-ja ka ekipin më të përgatitur dhe programin më realist për ekonominë e Kosovës. Të gjithë bashkë, duhet të punojmë për fitoren më 9 shkurt.
Të pranishmit u inkurajuan që ditët e mbetura deri në zgjedhje t’i shfrytëzojnë për të takuar familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre duke i bindur se LDK-ja dhe Lumir Abdixhiku janë zgjedhja e duhur për të ardhmen e Kosovës.
“Me datë 9 shkurt, ditën do të votojmë, ndërsa në mbrëmje do të festojmë”, thanë ata.
Me një atmosferë entuziaste dhe një mbështetje të madhe nga të pranishmit, ky takim zgjedhor konfirmoi besimin e strukturave të LDK-së se fitorja në këto zgjedhje është e arritshme. Mesazhi i kësaj mbrëmjeje ishte i qartë: LDK është gati për qeverisje dhe për t’i dhënë Kosovës një drejtim të ri, më të sigurt dhe më të zhvilluar.
Leave a Reply