LDK hap fushatën lokale: Sonte po e nisim një kryengritje shprese

LDK hap fushatën lokale: Sonte po e nisim një kryengritje shprese

Lidhja Demokratike e Kosovës prezantoi kandidatët për kryetarë komunash në nisjen e fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Lideri Lumir Abdixhiku foli për rikthimin e shpresës dhe trashëgiminë rugoviane, ndërsa Përparim Rama prezantoi vizionin e tij për Prishtinën

Abdixhiku: LDK është shtëpia e lirisë, pavarësisë e demokracisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur në Prishtinë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit duke prezantuar kandidatët e saj për kryetarë komunash.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi këtë nisje si më shumë se një garë politike duke e quajtur “kryengritje shprese” dhe një kapitull të ri për komunat e vendit.

“Sonte nuk po e nisim vetëm një fushatë, po e nisim një kryengritje shprese, po hapim kapitullin e ri të qyteteve tona, komunave tona, të vetë Republikës tonë. Në këtë kapitull shprese duhet të kujtojmë forcën tonë, t’i kujtojmë vetes dhe të tjerëve se kush jemi ne. Jemi pasardhësit e qëndresës, pasardhësit e rezistencës, pasardhësit politik të shqiptarit më të madh të kohërave, të doktor Ibrahim Rugovës”, tha Abdixhiku.

Ai kujtoi se katër vite më parë LDK-ja kishte fituar 9 komuna dhe 209 këshilltarë komunalë duke e vlerësuar këtë si një mandat të suksesshëm. “Në këto 9 komunat tona kemi qeverisur mirë, mbarë e djathtë, dhe me 12 tetor duam ta përhapim në të gjitha komunat tjera, gjithandej Kosovës, ta kthejmë çdo komunë në model qeverisje tonën. Më 12 tetor populli do të ketë në dorë vetëm një fletë votimi, por fatin e Republikës”, shtoi ai.

Rama: Prishtina si një organizëm i gjallë, me ndriçim të mençur dhe buxhet më efikas

Në këtë ngjarje foli edhe Përparim Rama, kandidati i LDK-së për një mandat të dytë në krye të Prishtinës. Ai prezantoi projektet e tij duke thënë se vizioni i nisur katër vite më parë do të vazhdojë me fokus tek qytetari.

“Vizioni që e kemi filluar para 4 vitesh nuk ndryshon, është i qartë. Prishtina si një organizëm i gjallë ku gjithçka është e ndërlidhur, ku njeriu ndodhet gjithmonë në qendër. E për atë motoja jonë është ‘përtej’. Ne jemi përtej edhe me infrastrukturën, koncepti që kemi instaluar në kryeqytet është se ndriçimi publik do të jetë ndriçim i mençur, i cili di të ekonomizojë energjitë që nuk përdoren, kjo përkthehet në më pak fatura rryme, në më shumë buxhet për investimet e domosdoshme tjetërkund”, deklaroi Rama.

Me këtë hapje të fuqishme në kryeqytet, LDK synon të konsolidojë bazën elektorale dhe të shtrijë qeverisjen e saj komunale në të gjithë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.