LDK e nominon Lumir Abdixhikun si kandidat për Kryeministër

LDK e nominon Lumir Abdixhikun si kandidat për Kryeministër

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka propozuar zyrtarisht kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Abdixhiku në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Ai ka deklaruar se propozimi i Kryesisë do të procedohet për votim në Këshillin e Përgjithshëm të partisë duke theksuar se diskutimi për këtë çështje ka qenë i shkurtër dhe unanim.

“Te çështja e kandidatit të LDK-së nuk zgjati shumë diskutimi. Kryesia konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë tjetër kandidat për kryeministër. Prandaj më nominoi si propozim për Këshillin e Përgjithshëm,” tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se ka marrë autorizimet statutare për përgatitjen e listës zgjedhore, por ka hequr dorë nga e drejta për renditjen e kandidatëve duke ia lënë këtë proces një grupi më të gjerë brenda partisë për të shmangur pakënaqësitë.

“Renditjen do ta bëjë një grup më i madh njerëzish, në mënyrë që të mos ketë pakënaqësi kush është më para e kush më mbrapa,” theksoi ai.

Abdixhiku tregoi se gjatë mbledhjes së Kryesisë u diskutuan pesë pika, ku më shumë kohë mori analiza e rezultateve të zgjedhjeve lokale. Ai tha se partia paraqiti rezultatet përfundimtare, vlerësoi komunat e fituara dhe shprehu mbështetje për të gjithë kandidatët e angazhuar.

Po ashtu, Kryesia hapi diskutimin për përgatitjet e zgjedhjeve nacionale, për organizimin e degëve dhe për finalizimin e listës së kandidatëve për deputetë.

A është e hapur LDK për koalicione?

Abdixhiku ka theksuar se LDK do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit, por brenda listës së saj do të zhvillojë diskutime me individë, aktorë dhe parti politike që mund të jenë pjesë e listës së përbashkët.

“Të gjitha diskutimet që i kemi pasur deri më tani në këtë vendim të kryesisë janë hapur rrugë që të përfshihen në një listë të madhe dhe përbashkuese në këtë garë nacionale. LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera, përfshirë zotërin Limaj me deputetët e tij, si dhe për partitë Demokristiane, Partinë e Drejtësisë dhe AKR-në. Ne jemi të hapur për parti, por edhe për individë,” tha Abdixhiku.

Cilat janë vijat e kuqe të LDK-së?

Sa i përket vijave të kuqe, Abdixhiku ka nënvizuar se LDK nuk do të lejojë që përpjekjet e saj të legjitimojnë bllokada ose sabotime nga qeveria aktuale në detyrë, e cila sipas tij qëndron në zyrë pa legjitimitet qytetar dhe pengon funksionimin normal të institucioneve.

“Le të punojmë që mos të ketë rezultat të njëjtë që pastaj të na kthen në bllokadë. LDK është alternativë e populizmit të tanishëm dhe do të veprojë për të shmangur gabime të pafalshme në këtë drejtim,” përfundoi Abdixhiku.

Me këtë vendim, LDK hyn zyrtarisht në garë për zgjedhjet e 28 dhjetorit me Abdixhikun si kandidat për postin e kryeministrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.