Pas përfundimit të zgjedhjeve, kandidatët për deputetë nga dega e tretë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “Dega e Presidentit Rugova”, kanë shprehur mirënjohjen e tyre për mbështetjen e qytetarëve.
Zogaj: Prishtina është shtëpia jonë e përbashkët
Kryetari i degës, njëherësh nënkryetari i Prishtinës dhe kandidati për deputet, Alban Zogaj, falënderoi 6,971 votuesit që i besuan votën duke e cilësuar këtë si një nder të madh dhe një vlerësim për punën e tij në kryeqytet.
Ai premtoi të vazhdojë angazhimin e tij për zhvillimin e Prishtinës.
“Kjo mbështetje është një mesazh besimi dhe përgjegjësie. Prishtina është shtëpia jonë e përbashkët, dhe unë do të vazhdoj të punoj me përkushtim për ta bërë atë një qytet më të mirë për secilin prej jush. Faleminderit nga zemra!”, shkroi Zogaj.
Nikçi Rexha: Rruga vazhdon, më e fortë dhe më e vendosur për Republikën
Ndërkohë, kandidatja tjetër, Elmire Nikçi Rexha, ndau përvojën e saj gjatë fushatës, duke e quajtur atë një rrugëtim të mbushur me takime, emocione dhe mësime të çmuara.
Ajo falënderoi LDK-në dhe kryetarin Lumir Abdixhikun për mundësinë e angazhimit dhe shprehu besimin e saj se ndryshimi vjen përmes përpjekjeve të përbashkëta.
“Edhe pse ky rezultat nuk më sjell në Kuvend, gjithçka që kam fituar gjatë këtij rrugëtimi është shumë e çmuar: besimi dhe mbështetja juaj. Rruga vazhdon, më e fortë dhe më e vendosur për Republikën tonë!”, u shpreh Nikçi Rexha.
Ajo gjithashtu uroi kolegët që fituan mandatin duke theksuar besimin se ata do të përfaqësojnë interesat e vendit me dinjitet dhe përgjegjësi.
Leave a Reply