Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka akuzuar Ministrinë për ndalim kundërligjshëm të punimeve në disa projekte kyçe të kryeqytetit. Përmes një deklarate publike më 1 korrik 2025, Havolli bëri të ditur se kjo ndërhyrje është bërë pa bazë ligjore dhe se është pranuar edhe nga disa pjesëmarrës të grupit punues që po hartojnë dokumentin “Plani i konzervimit dhe menaxhimit të integruar të qendrës historike të Prishtinës”.
Sipas Havollit, ndalimi i punimeve është i pajustifikuar dhe i mbështetur në një hartë të zonës mbrojtëse që nuk ka status juridik.
“1) Harta e zonës mbrojtëse asnjëherë nuk është miratuar, dhe ajo e vitit 2020 nuk është shpallur në Gazetën Zyrtare e as e regjistruar në regjistrat kadastral, që do të thotë se nuk ka status juridik si aset nën mbrojtje,” tha Havolli.
Ai shtoi se “2) punimet janë ndaluar bazuar në harta të paaprovuara, gjë që përbën shkelje procedurale dhe ligjore. 3) Pas ndalimit të mëparshëm të punimeve në Sheshin ‘Xhorxh Bush’ dhe në ‘Ishullin Urban’ para një viti, më 1 korrik 2025 u mbajt takimi për të diskutuar draftin final të këtij dokumenti.”
Por më shqetësuese, sipas tij, është fakti se “4) harta e zonës mbrojtëse është zgjeruar edhe më tej duke përfshirë të gjithë hapësirën përreth Katedrales – veprim i cili duket se është bërë me qëllim të pengimit të mëtejshëm të punimeve në Sheshin ‘Xhorxh Bush’. Në asnjë vend nuk ndodh që një hartë të zgjerohet dhe të përfshijë parcela pa pajtimin e pronarit – në këtë rast, Komunës së Prishtinës.”
Havolli e cilësoi këtë ndërhyrje si abuzim me institucionet që duhet të jenë teknike dhe profesionale duke shtuar se kjo përbën një përpjekje të qëllimshme për të bllokuar zhvillimin e projekteve kapitale në Prishtinë.
“Ministria ka abuzuar me përgjegjësitë e saj. Nuk mund të përdorësh institucione teknike për qëllime politike ose për bllokim të projekteve publike,” përfundoi Havolli.

Leave a Reply