Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) duke e akuzuar për papërgjegjësi dhe dëmtim të projekteve infrastrukturore në kryeqytet. Në fokus të reagimit të tij janë gjetjet arkeologjike pranë Xhamisë së Qarshisë, të cilat, sipas Havollit, u përdorën vetëm si justifikim për të bllokuar punimet, por u lanë pas dore sapo përfundoi debati publik.
Havolli përkujtoi një rast të disa muajve më parë, kur MKRS ndërhyri dhe ndaloi një gropim teknik të bërë nga operatorët e energjisë elektrike në trotuarin pranë Xhamisë së Qarshisë, me arsyetimin se ishin zbuluar gjetje arkeologjike. Sipas tij, kjo ndërhyrje u bë më shumë për efekt mediatik sesa për mbrojtje reale të trashëgimisë kulturore.
“Ju kujtohet kur MKRS bllokoi punimet për gjetje arkeologjike? Eh, ato punime tashmë kanë përfunduar. Gjetjet janë mbuluar me zhavor, sepse në media është dashur të arsyetohen ndalesat që i ishin bërë Kryeqytetit, e jo se këta i respektojnë vlerat,” shkroi ai.
Ai shtoi se si pasojë e ndërprerjeve të punimeve dhe mungesës së koordinimit, është shkaktuar dëm i madh në infrastrukturën e sapo rehabilituar të rrugës “Agim Ramadani”. Kjo rrugë ishte pjesë e projekteve për rishtresim nga Komuna e Prishtinës, por tash është dëmtuar përsëri për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve.
“E si mbetje e punëve të këqija dhe të papërgjegjshme edhe nga operatori edhe nga MKRS, na mbeti një dëm i madh në rrugën ‘Agim Ramadani’, që sa po e kemi rishtresuar. Keq. Shumë keq!”, përfundoi Havolli.
Ky reagim shton tensionin mes Komunës së Prishtinës dhe MKRS-së, dhe rikthen vëmendjen mbi nevojën për koordinim institucional dhe transparencë në menaxhimin e gjetjeve arkeologjike në projekte zhvillimore.

Leave a Reply