Në një mbledhje të veçantë të degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, ku mori pjesë edhe kryetari aktual i kryeqytetit, Përparim Rama, strukturat e kësaj dege konfirmuan përkrahjen e plotë për kandidaturën e tij për një mandat të dytë. Kryetari i degës dhe deputeti, Alban Zogaj, theksoi rritjen e fuqisë elektorale të degës dhe objektivat ambicioze për zgjedhjet lokale. Rama, nga ana e tij, u shpreh se përvoja, sfidat dhe rezultatet e deritanishme e kanë përgatitur për një mandat edhe më efektiv.
Zogaj: Krenar me rezultatin, synojmë 9 mijë vota
Kryetari i degës dhe deputeti, Alban Zogaj, falënderoi anëtarët për pjesëmarrjen në mbledhje dhe theksoi rolin kyç të degës së tretë në suksesin e LDK-së.
Ai tha se dega e tretë në zgjedhjet e fundit arriti të jetë dega më e madhe në Prishtinë.
“Kjo degë ka dhënë për LDK-në 8.300 vota. Synimi ynë është t’i kalojmë 9.000, madje dikur kemi arritur edhe 11.000 vota. Me votë unanime në mbledhjen e kaluar, kemi përkrahur Përparim Ramën për një mandat të dytë,” tha Zogaj duke përmendur entuziazmin dhe angazhimin e aktivistëve që sipas tij, do të përsërisin suksesin.
Rama: Me kokën lart për katër vitet e ardhshme – kemi transformuar Prishtinën
Rama mbajti një fjalim të fuqishëm, ku shpalosi arritjet gjatë mandatit të parë dhe shprehu bindjen se puna e bërë do të shndërrohet në një fitore të re për LDK-në dhe qytetin.
Rama theksoi ndryshimin rrënjësor të atmosferës politike dhe qytetare në Prishtinë që nga viti 2021. “Para katër vitesh energjia ishte e ulët, shumica kishin kokën poshtë. Sot kemi një energji të re, një optimizëm të shtuar, përkundër sfidave të mëdha që i kemi përballuar në kryeqytet,” tha ai.
Duke reflektuar mbi mandatin e tij, Rama u shpreh se janë realizuar mbi 90% e 206 premtimeve zgjedhore, ndërsa 5% janë zëvendësuar me projekte të tjera prioritare. Ai theksoi gjithashtu se janë përfunduar mbi 1.600 projekte që nuk kanë qenë pjesë e programit elektoral.
“Që nga pozita e 17 mijë votave me AKR-në, kemi arritur në 32 mijë vota vetëm si LDK. Kjo është dëshmi e një ngritjeje të fuqishme. Kemi rikthyer shpirtin dhe jetën cilësore në Prishtinë, kemi sjellë projekte konkrete dhe kemi mbajtur fjalën tonë,” theksoi Rama.
Ai kujtoi fillimin e mandatit kur idetë dhe vizionet e tij ishin vënë në dyshim nga kundërshtarët.
“Domethënë që në fillim na thojshin: ‘po ëndërroni, doni me e bë si Dubai’, pastaj: ‘veç rendera keni’. Kur i buxhetuam renderat, hynë bagerat. Atëherë nisën me na ndal në mënyrë joligjore – sepse panë që atë çka e themi, edhe e bëjmë.”
Kryetari i Prishtinës foli edhe për sfidat me bllokadat joligjore institucionale, si dhe për përvojën që ka fituar gjatë këtij mandati. “Tash nuk jam më amator – kam kryer një fakultet të madh me përvojë. Kam reflektuar, kam mësuar dhe jam më i përgatitur se kurrë për katër vitet e ardhshme,” tha ai.
Ai theksoi se përmes transformimit të kryeqytetit, është forcuar edhe vetë LDK-ja, dhe se suksesi në Prishtinë mund të shndërrohet në avantazh edhe për nivelin qendror.
“Me kokën lart, me përvojë të fituar dhe me besim të plotë – nuk do të ndalem për asnjë moment. Prishtina ka nevojë për vazhdimësi dhe vizion të qartë. Jemi gati për katër vitet e ardhshme, dhe do ta fitojmë me të parën,” përfundoi Rama duke u zotuar për një mandat edhe më efikas dhe të guximshëm.
Të pranishmit falënderuan Përparim Ramën për projektet e realizuara në lagjet nga të cilat vijnë duke përfshirë investimet në infrastrukturë, transportin urban dhe projektet e planifikuara. Mbështetja për një mandat të dytë u konfirmua si unanime dhe e vendosur, me synimin për një fitore të madhe që do të riforcojë jo vetëm Prishtinën, por edhe LDK-në në nivel kombëtar.
Leave a Reply