Dega e tretë e LDK-së nderon 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova

Dega e tretë e LDK-së nderon 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova

Alban Zogaj dhe anëtarët e degës kryejnë homazhe, ndërsa Rrahman Ismajli rikujton me nostalgji rolin vendimtar të Rugovës në shtetformimin e Kosovës

Me rastin e 81-vjetorit të lindjes së Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Dega e tretë e LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë,  zhvilloi sot homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Kryetari i degës dhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, tha se Rugova mbetet simbol i pavarësisë, demokracisë dhe rrugës euroatlantike të vendit.

“Sot shënojmë ditëlindjen e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, simbolin e pavarësisë, demokracisë dhe shtetformimit të Kosovës. Figura e tij mbetet udhërrëfyesi ynë moral dhe politik. Ai na mësoi se shteti ndërtohet me mençuri, me dialog, me kulturë politike dhe me besim të palëkundur në lirinë e popullit”, u shpreh Zogaj duke theksuar se vizioni i Rugovës për një Kosovë të qetë, demokratike dhe perëndimore vazhdon të mbetet themel i orientimit të LDK-së dhe institucioneve të vendit.

Në homazhe mori pjesë edhe Rrahman Ismajli, një nga themeluesit e degës së tretë dhe mik i afërt i Presidentit Rugova, e në shtëpinë e të cilit janë mbajtur procese të rëndësishme, përfshirë procesin mësimor nga ana e Fakultetit Juridik gjatë viteve të vështira.

Ai kujtoi me krenari e nostalgji kohët kur ka filluar aktivitetin politik në LDK dhe me presidentin Rugova.

“Ishim me fat që e kishim prijës. Humbje e madhe që nuk është më fizikisht në mesin tonë. Po të ishte gjallë, shumë procese do të ecnin mirë e mbarë”, u shpreh Ismajli.

LDK-ja vlerëson se trashëgimia politike dhe kombëtare e Rugovës mbetet themeli mbi të cilin është ngritur shteti i Kosovës dhe frymëzimi moral për brezat që pasojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.