Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës duke uruar Përparim Ramën për fitoren dhe duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë fushatës.
Në një postim të bërë pas përfundimit të procesit zgjedhor, Abdixhiku ka vlerësuar se takimet dhe komunikimi me qytetarët gjatë kësaj periudhe kanë qenë një përvojë e veçantë, e mbushur me energji dhe dashuri për kryeqytetin.
“Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë,” ka shkruar Abdixhiku.
Ai theksoi se gara tregoi qartë se shumë qytetarë e duan një Prishtinë më të mirë dhe se mbështetja e tyre i jep forcë dhe besim për të ardhmen e kryeqytetit.
“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur,” ka shtuar ai.
Abdixhiku premtoi se LDK do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve të Prishtinës, me përkushtim e dashuri duke ushtruar rolin e saj në opozitë me përgjegjësi e kujdes për interesin publik.
“Si Lidhje Demokratike e Kosovës, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap të qeverisjes së ardhshme duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund,” ka deklaruar ai.
Në fund, Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për ekipin e LDK-së, aktivistët, vullnetarët dhe gjithë bashkëpunëtorët që kontribuuan gjatë fushatës duke theksuar se rrugëtimi për një Prishtinë më të mirë vazhdon me të njëjtin besim dhe dashuri për qytetin.

Leave a Reply