Abdixhiku: Sulmet ndaj LDK-së, s’janë të rastësishme e as të paqëllimshme

Abdixhiku: Sulmet ndaj LDK-së, s’janë të rastësishme e as të paqëllimshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të një komunikimi brenda kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave nga diaspora.

Ai ka thënë se sulmet e sinkronizuara ndaj LDK-së, të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve, nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme.

“Janë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë. Ne, sërish, për të satën herë  nga vendi i tretë – siç na kujtojnë këta si të parëndësishëm – jemi fajtorët kryesorë për secilën gjë në këtë vend. Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”, tha ai.

Sipas tij, e vërteta është e thjeshtë. “Krejt e thjeshtë dhe e drejtë! LDK po qëndron për veten; dhe nëpërmjet vetes dhe për Republikën. E sepse po qëndron si e tillë, edhe po sulmohet nga të tjerët”, tha ai.

I pari i LDK-së, ka thënë se temat e brendshme janë diskutuar tashmë në Kryesi. “LDK i beson institucioneve tona në çdo drejtim; dhe në këtë drejtim. Ne nuk bëjmë as prokurorinë e as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve tona edhe kur ka fituar në tri nivele betejën e tentim anulimit të votave tona me partinë në pushtet. Tri fitore në tri nivele – sepse vota jonë është e shenjtë dhe e drejtë! Prandaj dhe fitorja ligjore. Nga opozita, nga vendi i tretë, nga pozicioni i sulmuar nga të giithë përnjëherë! E drejta megjithatë triumfon! Dhe sado të padrejta që i shihni këto sulme, u them të duroni. Të duroni sepse ato marrin përgjigje me kohë. Rritja jonë ka prishur shumë llogari. Ajo projekton të ardhme të mirë; dhe natyrisht frikë tek ata që se durojnë këtë projektim. Kthim prapa nuk ka më! Nuk ka kthim në pragun e shuarjes! Po rritemi, më shumë e më shpejtë se secili!. Dorëzim para presionit nuk ndodhë më! Do ta mbrojë, me gjithë qenien time, me gjithë forcën e bashkëpunëtorëve të mi, me gjithë vullnetin e lirë të veprimtarëve e qytetarëve që i kemi pas! Plot 171 mijë”, tha ai. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.