Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas propozimeve të fundit për formimin e një Qeverie të Pakicës duke theksuar se ideja e tillë është e papranueshme dhe e dëmshme për vendin.
Në një konferencë për media të mbajtur sot, Abdixhiku kujtoi se LDK kishte propozuar formimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar, të bazuar në përgjegjësi të përbashkët dhe bashkërendim shtetëror, por që, sipas tij, “u refuzua me shpejtësi dhe me furi”.
“Fatkeqësisht, ky propozim u refuzua me shpejtësi dhe me furi. Në vend të bashkëpunimit, u zgjodh vazhdimi i krizës, me seanca të pakuptimta, me shkelje kushtetuese dhe me një mungesë të plotë përgjegjësie institucionale,” tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se pas më shumë se gjashtë muajsh, Kosova gjendet në një gjendje edhe më të rënduar, pa institucione funksionale dhe me ndarje më të thella politike.
“Dhe në gjendje të tillë, në fund të këtij cikli që më shumë i ngjan një cirku politik, pra në fund të bllokadës tetë mujore, Kosovës dhe qytetarëve tanë po u propozohet si ‘zgjidhje’ një Qeveri e Pakicës, për periudhë kalimtare, me pretendimin për të trajtuar çështje shtetërore,” deklaroi ai.
Abdixhiku përmbylli se në Kosovë nuk ka vend për qeveri të pakicës, pasi “nga viti 1999, në Kosovë vendos shumica”.

Leave a Reply