Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar sot 36-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, vlerësoi rolin historik dhe politik të kësaj partie në ndërtimin e Kosovës së lirë, demokratike dhe të pavarur.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku tha se për më shumë se tri dekada e gjysmë, LDK ka përfaqësuar guximin, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e palëkundur ndaj idealeve të lirisë, demokracisë dhe vetështetësisë duke përcaktuar jo vetëm rrugën e saj politike, por edhe fatin e Kosovës dhe të gjithë kombit shqiptar.
Ai theksoi se përvjetori i 36-të përbën një moment reflektimi dhe ripërtëritjeje të zotimit ndaj vlerave themelore të LDK-së, në një kohë kur, sipas tij, partia mban një përgjegjësi të veçantë për të ardhmen e vendit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“36 vite më parë, LDK u ndërtua mbi guximin dhe vizionin për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Ne nderojmë trashëgiminë e atyre që hodhën themelet e kësaj lëvizjeje të madhe, si dhe reflektojmë për rrugën e gjatë, të lodhshme, por të papërsëritshme që kemi përshkruar për 36 vite rresht. Sot gjejmë momentin të ripërtërijmë edhe njëherë zotimin tonë ndaj vlerave dhe parimeve që vazhdojnë të na udhëheqin”, tha Abdixhiku.
Duke rikujtuar rrethanat historike të themelimit të LDK-së, ai u ndal te viti 1989 duke e cilësuar atë si vitin e ndryshimit evropian, por edhe të represionit të rëndë në Kosovë.
“36 vjet më parë, më 23 dhjetor 1989, në një atmosferë represioni dhe dëshpërimi, një grup vizionarësh guxuan të ëndërrojnë për një të ardhme tjetër të Kosovës. Ata ëndërruan lirinë, demokracinë dhe pavarësinë. Nga kjo ëndërr lindi LDK-ja, formacioni i parë dhe i vetëm pavarësist i popullit të Kosovës”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi se në krye të kësaj lëvizjeje historike qëndronte prijësi historik i shqiptarëve të Kosovës, presidenti Ibrahim Rugova, të cilin e cilësoi si atin themeltar të shtetit të Kosovës.
Sipas tij, LDK sot mbart një përgjegjësi të madhe politike për orientimin e vendit në vitet që vijnë duke riafirmuar angazhimin e saj për demokraci funksionale, zhvillim ekonomik dhe integrim euroatlantik.
“LDK mbetet shtëpia politike e vlerave perëndimore dhe e shpresës për një Kosovë më të mirë”, përfundoi kryetari i LDK-së.

Leave a Reply