Abdixhiku në Kongresin e EPP-së në Spanjë: Kosova nuk kërkon favore, por ofron besim në paqe, demokraci dhe Evropë

Abdixhiku në Kongresin e EPP-së në Spanjë: Kosova nuk kërkon favore, por ofron besim në paqe, demokraci dhe Evropë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në hapje të punimeve të Kongresit të Partive Popullore Evropiane (EPP) duke përfaqësuar jo vetëm partinë, por edhe vet shtetin dhe popullin e saj para liderëve, delegatëve dhe përfaqësuesve të familjes më të madhe politike evropiane.

Në një atmosferë të ngarkuar me simbolikë dhe mesazhe historike, Abdixhiku foli për rrugëtimin e Kosovës që nga lufta dhe sakrifica e deri te përpjekjet për ndërtimin e një shteti demokratik, të qëndrueshëm dhe evropian. Ai tha se Kosova është shteti më i ri në kontinent, por me një ëndërr të vjetër evropiane, të cilën e ka ndjekur me përkushtim dhe besim të palëkundur.

“Republika e Kosovës po lulëzon. Si një shtet sovran, si një demokraci funksionale dhe si një shoqëri që synon integrimin e plotë evropian, ne po ecim përpara dhe nuk do të ndalemi. Ne nuk kërkojmë favore, por ofrojmë diçka të fuqishme: ofrojmë besim. Besim në demokraci. Besim në paqe. Dhe besim në idenë e përjetshme të Evropës,” deklaroi ai.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku nuk e anashkaloi as sfidën më të madhe që po vazhdon ta mbajë peng Kosovën, refuzimi i njohjes nga Serbia dhe nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Spanjën, vendin mikpritës të Kongresit. Ai e cilësoi këtë si një padrejtësi që duhet të marrë fund.

“Për ato pak shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë kaluar 25 vjet. Është më se e mjaftueshme. Ne e kemi fituar vendin tonë, përmes reformave, përmes qëndrueshmërisë e përmes një besimi të palëkundur në rrugën evropiane,” theksoi ai.

Kryetari i LDK-së gjithashtu vuri në dukje se Serbia, edhe pas një çerek shekulli nga përfundimi i luftës, vazhdon të jetë e kapur nga e kaluara duke mohuar të drejtën e Kosovës për të ekzistuar dhe duke penguar integrimin e saj ndërkombëtar. Ai i bëri thirrje Evropës që të qëndrojë e palëkundur në anën e duhur të historisë, ashtu siç kishte qëndruar edhe gjatë viteve të ‘90-ta kur Kosova po përballej me agresionin dhe spastrimin etnik.

“Dhe më lejoni ta theksoj: derisa sot Ukraina përballet me një agresion po aq të egër, Kosova qëndron edhe një herë në anën e atyre që luftojnë për të drejtën e tyre për të ekzistuar,” tha Abdixhiku duke e lidhur luftën e Kosovës me sfidat aktuale që po kalon kontinenti.

Në fund, Abdixhiku përcolli një mesazh shprese dhe vendosmërie për të ardhmen e përbashkët evropiane duke e quajtur Kosovën një partnere të gatshme për të kontribuar në paqe, stabilitet dhe vlera demokratike.

“Bashkimi Evropian lindi nga hiri i luftës, u formësua nga guximi dhe u udhëhoq nga vizionarë që besuan në diçka më të madhe se vetvetja. Është koha të rindërtojmë këtë ëndërr dhe mbi të gjitha të rikthejmë atë guxim, në mbrojtjen e Evropës, në përbashkimin e Evropës,” përfundoi ai.

Fjalimi i Abdixhikut u mirëprit nga të pranishmit duke e vendosur Kosovën fuqishëm në qendër të diskutimit për të ardhmen e zgjerimit të BE-së dhe konsolidimin e vlerave perëndimore në Ballkanin Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.