Abdixhiku ironizon sloganin e VV-së: “Penjtë do t’ua këpusim, këngët i mbajmë për atdhe” – prezanton programin për mbështetje të familjeve

Abdixhiku ironizon sloganin e VV-së: “Penjtë do t’ua këpusim, këngët i mbajmë për atdhe” – prezanton programin për mbështetje të familjeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka komentuar sloganin e Lëvizjes Vetëvendosje “Mos lësho pe” dhe këngën e këngëtares Edona Llaloshi kushtuar Albin Kurtit duke theksuar se “penjtë do t’ua këpusin, ndërsa këngët i mbajnë për atdhe e dashuri”.

Gjatë një tubimi në Prishtinë, Abdixhiku e prezantoi LDK-në si një alternativë të matur, të përgjegjshme dhe institucionale për qeverisjen e vendit. Ai theksoi se LDK nuk vjen në pushtet për hakmarrje, mllef apo improvizime, por me dije, përvojë, maturi, institucione të forta dhe vizion të qartë e të guximshëm.

Sipas tij, LDK mbështetet në një traditë politike që nuk e ka ndarë kurrë popullin e Kosovës dhe që gjithmonë ka vendosur interesin kombëtar mbi interesin partiak.

“Ne nuk vijmë as me pushkë, as me këngë që nxisin ndarje. Penjtë do t’ua këpusim, këngët i mbajmë për atdhe e dashuri. LDK-në e kemi për shtet, për republikë, për liri e pavarësi,” deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se sot kërkohet zgjim, thjellësi, drejtim i ri dhe shpresë për Kosovën duke theksuar se LDK ofron pikërisht këtë përmes një qeverisjeje serioze dhe vizionare.

Gjatë të njëjtit tubim u bë edhe prezantimi i kandidatëve të LDK-së për deputetë, si pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.

Po ashtu, Abdixhiku shpalosi një nga zotimet kryesore të programit të tij qeverisës, që lidhet me mbështetjen financiare për familjet dhe nënat e reja. Ai premtoi se çdo fëmijë i porsalindur në Kosovë do të përfitojë 200 euro në muaj për një vit të plotë, apo gjithsej 2,400 euro duke filluar që nga dita e parë e lindjes.

Sipas Abdixhikut, programi i LDK-së parasheh edhe mbështetje të vazhdueshme për fëmijët nga mosha një deri në 16 vjeç, me pagesa mujore prej 40 deri në 50 euro për secilin fëmijë.

“Zhvillimi i vendit është i pamundur pa familje të forta. Shteti duhet të jetë pranë qytetarëve që në momentet e para të jetës,” theksoi ai duke shtuar se këto masa synojnë të lehtësojnë barrën financiare për familjet, të inkurajojnë lindjet dhe të përmirësojnë mirëqenien e fëmijëve në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.