Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë kandidatët e LDK-së që morën pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke vlerësuar përkushtimin, dinjitetin dhe kulturën e tyre gjatë fushatës.
Në një mesazh drejtuar kandidatëve, Abdixhiku tha se secili prej tyre ka qenë “zëri, fytyra dhe energjia e LDK-së në çdo qytet, lagje e fshat të Kosovës”. Ai përgëzoi fituesit e raundit të parë, përkatësisht Imriun, Ilirin dhe Ruzhdinë, duke theksuar se suksesi i tyre është fitore e përbashkët e LDK-së dhe e Kosovës.
“Deri më sot keni qenë kandidat vetëm të LDK-së, nga sot e tutje jeni kryetarë të të gjithëve pa dallim. Silluni si të tillë,” u shpreh Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së u dërgoi mesazh inkurajues edhe kandidatëve që do të garojnë në raundin e dytë, duke i ftuar që të vazhdojnë me vendosmëri drejt fitores. Për ata që nuk arritën rezultatin e pritur, Abdixhiku tha se nuk bëhet fjalë për humbje, por për përvojë dhe themel për fitore të ardhshme.
“Politika është garë e gjatë, maratonë. Dhe ne, si LDK, kemi dëshmuar se dimë të fitojmë, por edhe dimë të qëndrojmë me dinjitet kur na mungon një hap deri te fitorja,” tha ai.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja ka arritur mbi 180 mijë vota për Kuvendet Komunale dhe del si partia e parë në këto zgjedhje lokale.
“LDK-ja sot është më e fortë, më e organizuar dhe më e lidhur me njerëzit se kurrë më parë. Ju jeni dëshmia e kësaj,” përfundoi ai.

Leave a Reply