Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përcjellë një mesazh falënderimi dhe inkurajimi për kandidatët e kësaj partie për Kuvendet Komunale, në prag të zgjedhjeve lokale që mbahen të dielën, më 12 tetor.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku ka vlerësuar fushatën e LDK-së si të jashtëzakonshme duke theksuar përkushtimin dhe ndershmërinë e kandidatëve që, sipas tij, kanë përfaqësuar me dinjitet vlerat e partisë në çdo komunë të Kosovës.
“Të dashur kandidatë për Kuvende Komunale, faleminderit për një fushatë të jashtëzakonshme – për përkushtimin, seriozitetin dhe energjinë që keni treguar në çdo komunë, në çdo fshat, në çdo lagje të Kosovës. Kjo ka qenë një fushatë e njerëzve të ndershëm, e atyre që besojnë se politika lokale duhet të jetë shërbim për qytetarin, jo interes personal apo garë për pushtet,” ka shkruar Abdixhiku.
Ai tha se LDK-ja sot është më e fortë në çdo komunë falë angazhimit të kandidatëve që kanë qëndruar pranë qytetarëve me punë dhe besim.
“Ju jeni zëri i parë i Lidhjes në terren, përfaqësuesit e besimit qytetar dhe bartësit e vlerave tona: ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim për zhvillim,” shtoi ai.
Kreu i LDK-së u bëri thirrje kandidatëve dhe strukturave të partisë që të jenë të angazhuar deri në momentin e fundit të procesit zgjedhor duke theksuar rëndësinë e çdo vote.
“Të angazhohemi deri në momentin e fundit; të bashkuar, të përkushtuar dhe të vendosur për secilën votë, në çdo qendër, në çdo vendvotim. E diela është dita jonë; dita e fitores së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kandidatëve tanë; dita e njerëzve të punës, të shpresës dhe të dinjitetit,” përfundoi Abdixhiku.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor, ku qytetarët do të votojnë për kryetarët e komunave dhe asambletë komunale në gjithë vendin.

Leave a Reply