Abdixhiku dhe Rama prezantojnë vizionin për arsimin dhe transformimin e lagjeve

Abdixhiku dhe Rama prezantojnë vizionin për arsimin dhe transformimin e lagjeve

Në lagjen e Spitalit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, u zotuan për reforma arsimore dhe projekte infrastrukturore duke kërkuar mbështetje për fitore pa balotazh më 12 tetor

Abdixhiku: Arsimi ditor në të gjitha shkollat, reformë revolucionare për Prishtinën

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur një takim elektoral në lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku dhe kandidati për kryetar të kryeqytetit, Përparim Rama, prezantuan programin dhe zotimet e tyre për mandatin e ardhshëm.

Në fjalën e tij, Abdixhiku e cilësoi Prishtinën si qendrën e betejës politike duke theksuar rëndësinë e arsimit në planin e qeverisjes së LDK-së. Ai premtoi që, nëse kjo parti fiton zgjedhjet, të gjitha shkollat e kryeqytetit do të kalojnë në sistemin e mësimit tërësor ditor.

“Katër vjet më parë e kemi nisur një rrugëtim shumë të vështirë, por që ia kemi arritur, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm dhe falë njeriut që sot qëndron në krye të Prishtinës. Jemi me fat që e kemi kandidat, që e kemi kryetar të Prishtinës, jemi me fat që do ta kemi edhe katër vjet kryetar të Prishtinës,” tha Abdixhiku. Ai shtoi se Përparim Rama ka vizion, përkushtim dhe dashuri për Prishtinën duke e cilësuar këtë si vlerën kryesore të kandidatit të LDK-së.

Rama: Kolektori dhe rruga A, projekte të përfunduara që transformojnë lagjet

Nga ana e tij, Përparim Rama u ndal tek projektet konkrete të realizuara në kryeqytet duke përmendur përfundimin e kolektorit në zonën e rrugës B dhe përfundimin e rrugës A, që sipas tij ka qenë ndër projektet më sfiduese.

“Problemi i kolektorit e dini që ka sjellë erë të keqe dhe pasoja për shëndetin e qytetarëve. Sot ai është i përfunduar. Po ashtu, rruga A që dikur dukej projekt i pamundur, tash është drejt përfundimit dhe po lidhet me rrugën B,” deklaroi Rama.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për LDK-në dhe programin e saj, me synimin që kryeqyteti të udhëhiqet pa balotazh.

Takimi përfundoi me prezantimin e disa kandidatëve të LDK-së për Asamblenë Komunale të Prishtinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.