Zogaj nga dega e tretë: Me Ramën dhe Abdixhikun, LDK-ja forca më serioze në kryeqytet

Zogaj nga dega e tretë: Me Ramën dhe Abdixhikun, LDK-ja forca më serioze në kryeqytet

Në tubimin e degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, Alban Zogaj, Lumir Abdixhiku dhe Përparim Rama theksuan unitetin, projektet e realizuara dhe synimet për mandatin e ardhshëm

Zogaj: Katërvjeçari i Ramës solli ndryshime të prekshme në kryeqytet

Në hapje të tubimit elektoral të degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, kryetari i degës dhe deputeti, Alban Zogaj, theksoi rëndësinë e kësaj dege në historinë politike të vendit duke kujtuar se ajo është “dega e presidentit historik Ibrahim Rugova”.

Ai shprehu mirënjohje për familjen Rugova dhe theksoi se trashëgimia politike e tij mbetet udhërrëfyes për zhvillimin e vendit.

“Kam pasur nderin që për pothuajse katër vite të punoj si nënkryetar me kryetarin Përparim Rama. Nga afër kam parë vizionin, vendosmërinë dhe përkushtimin e tij për ta bërë Prishtinën një qytet modern, të gjelbër dhe me projekte që prekin jetën e çdo qytetari. Katërvjeçari i tij ka qenë periudhë e investimeve të mëdha dhe e ndryshimeve të prekshme në kryeqytet”, tha Zogaj.

Ai shtoi se dega e tretë është krenare për ekipin prej 10 kandidatëve për Asamblenë Komunale, të cilët sipas tij janë “zëri i qytetarëve dhe profesionistë të përkushtuar që do të jenë krah kryetarit Rama për ta çuar përpara programin fitues”.

Abdixhiku: Nuk kishim ndihmë nga qeveria, përkundrazi, patëm vetëm bllokada

Në tubimin elektoral me banorët e degës së tretë në Prishtinë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu mbështetjen e tij për Përparim Ramën dhe vlerësoi qeverisjen e tij në katër vitet e fundit.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe, qeverisja lokale nuk mori ndihmë nga qeveria qendrore e as nga opozita në kuvendin komunal, por përballoi bllokada e sabotime.

“Sonte nga ky tubim e kemi shumë të qartë, kryeqyteti frymon kaltër. Sepse çdo betejë politike nis këtu, çdo fitore e madhe nis këtu dhe çdo shpresë për të ardhmen e vendit tonë nis këtu… Nuk kishim ndihmë nga qeveria qendrore, përkundrazi, patëm vetëm bllokada, nuk patëm bashkëpunim as nga opozita lokale, përkundrazi, patëm sabotim. Por asnjë nga këto nuk mundi ta ndalë ndryshimin e nisur nga ne”, tha Abdixhiku.

Rama: Disa kandidatë po thonë që trafikun e zgjidh hapja e sheshit “George Bush”, aq dinë, aq thonë

Në fjalën e tij, kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë, Përparim Rama, prezantoi projektet e realizuara në lagjet Bregu i Diellit, Velani, Muharrem Fejza, Rruga C dhe B, si dhe Mati 1.

Ai përmendi asfaltimin e rrugës “Enver Maloku”, rregullimin e ambulancës në Breg të Diellit, shërbimet ditore për qytetarët me nevoja, largimin e objekteve të vjetra për t’i shndërruar në parqe, si dhe investimet në transportin urban.

Ai përmendi edhe funksionalizimin e mësimit tërë ditor e zgjidhje për trafikun urban.

“Kemi me fillua me 5 shkolla para një vitit tani kemi vazhdua edhe me 7 shkolla tjera, pra i kemi 12. Në katër vite e ardhshme do të bëhen të gjitha shkollat me mësim tërëditor. Po investojmë në kurikulën digjitale i mundëson fëmijët tanë”, tha ai.

Rama theksoi se sfida më e madhe e kryeqytetit mbetet trafiku. “Disa kandidatë po thonë që ne do ta zgjedhim trafikun duke hapur sheshin ‘George Bush’. Aq dinë, aq thonë, nuk e rregullon trafikun. Trafikun e rregullon unaza e kryeqytetit, të cilën kjo qeveri e ka bllokuar, dhe dhjetë shkollat të cilat jemi duke i ndërtuar në periferitë e Prishtinës”, tha ai.

Premtimet për mandatin e ardhshëm

Rama premtoi se në mandatin e dytë do të fokusohet në funksionalizimin e mësimit tërëditor në të gjitha shkollat e kryeqytetit, realizimin e unazës së jashtme të Prishtinës, blerjen e 120 autobusëve të rinj, rregullimin e rrugës “Agim Ramadani” dhe zhvillimin e një sërë projektesh infrastrukturore e sociale për kryeqytetin.

Në këtë aktivitet, dega e tretë prezantoi gjithashtu edhe kandidatët për Kuvendin Komunal të Prishtinës.

E ata janë:

  1. Sokol Havolli (nr. 2);
  2. Pëllumb Bajqinovci (nr. 4);
  3. Elmire Nikçi Rexha (nr. 6);
  4. Amir Simnica (nr. 17);
  5. Driton Rukiqi (nr. 22);
  6. Shpend Avdili (nr. 37);
  7. Blerim Sinani (nr. 40);
  8. Astrit Gashi (nr. 46);
  9. Fjolla Vrajolli (nr. 48); dhe
  10. Zela Krasniqi (nr. 51).

Leave a Reply

Your email address will not be published.