Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i partisë, pas konfirmimit të tij në Kuvendin e sotëm.
Pas përfundimit të seancës, Abdixhiku deklaroi se Kuvendi ka miratuar dy dokumente kyçe: njëra mbi gjendjen politike në vend dhe tjetra mbi organizimin e LDK-së. Ai theksoi se partia do të nisë një angazhim strukturor në të gjitha degët dhe nëndegët e Kosovës duke njoftuar një riorganizim brenda 100 ditëve.
“LDK-ja nuk mund të vazhdojë siç ka qenë. Ky organizim dhe riorganizim duhet të nisë sa më parë, në mënyrë që partia të jetë funksionale në çdo degë dhe nëndegë,” tha Abdixhiku. Ai bëri thirrje për bashkim të gjithë anëtarëve duke përfshirë ata të pakënaqur ose që kanë pasur funksione të larta, për të punuar drejt qëllimit të përbashkët të partisë.
Kreu i LDK-së shtoi se pas çdo vendimi të shumicës, duhet rreshtim prapa një ideje më madhore dhe përgjegjësi kolektive. “Procesi demokratik ka fillim dhe përfundim. Nga e hëna do të kemi një angazhim strukturor gjithandej Kosovës,” u shpreh Abdixhiku duke ftuar të gjithë anëtarët, përfshirë të dorëhequrit apo të dëshpëruarit, të rikthehen brenda shtëpisë së tyre politike.
Abdixhiku përfundoi me mesazhin se rruga përpara e LDK-së ka emër, rimëkëmbje, e cila do të arrihet përmes përpjekjes dhe përafrimit të të gjithë strukturave dhe anëtarësisë së partisë.
Abdixhiku: I gatshëm të flas me të gjithë spektrin politik për presidentin
Pasi fitoi besimin e delegatëve për të vazhduar në drejtimin e partisë, Abdixhiku foli për rolin e LDK-së në dialogun politik dhe respektimin e vendimeve të institucioneve të shtetit. Ai theksoi gatishmërinë për të biseduar me të gjithë spektrin politik për të gjetur një zgjidhje konsensuale për presidentin e ardhshëm.
“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike s’kemi fjalën për pazare. Por që duhet të ulen që të bëhen numrat për një president të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Prandaj jam i gatshëm të flas me të gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes së presidentit që duhet të jetë konsensual, dhe të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.
“LDK-ja nuk heziton t’i implementojë në plotni vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ka implementuar kur ka qenë në pyetje pozicioni i saj politik i kryeministrave, kryetarëve të Kuvendit e presidentit e lëre më të pozicioneve të parëndësishme si nënkryetari i pestë i Kuvendit. Do ta respektojmë vendimin e Gjykatës. Pa asnjë hezitim. S’duhet të ketë dilema që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë opsional për ne. Atëherë s’ka më shtet e demokraci”, theksoi ai.

Leave a Reply