Abdixhiku: Rugova nuk ishte politikan i momentit, por themelues i shtetit dhe mendimit politik të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mbajti sot një fjalim të gjatë dhe reflektues në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova duke e cilësuar atë si themelues të shtetit, të mendimit politik modern dhe të orientimit perëndimor të Kosovës.

Në Akademinë përkujtimore, Abdixhiku theksoi se përvjetori i Rugovës nuk është thjesht një datë simbolike, por një moment për të dëshmuar themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës. Sipas tij, Rugova nuk ishte figurë e mbyllur në kohë, por një mendim i gjallë që vazhdon të gjykojë veprimet politike dhe institucionale të sotme.

“Është jashtëzakonisht e vështirë të flasësh për Rugovën, jo sepse mungojnë fjalët, por sepse janë tepër shumë. Çdo fjali rrezikon të jetë më e vogël se figura që përfaqësonte,” u shpreh Abdixhiku duke theksuar se Rugova nuk ishte slogan, as britmë, por proces, durim dhe rrugë e gjatë drejt shtetit.

Ai foli gjerësisht për formimin e hershëm jetësor të Rugovës duke kujtuar humbjen tragjike të babait dhe gjyshit të tij, përvojë që, sipas Abdixhikut, e mësoi Rugovën të mos e kthente dhimbjen në urrejtje, por në vetëpërmbajtje dhe qetësi morale. “Rugova zgjodhi të mos bëhej kopje e dhunës që e kishte lënduar,” tha ai.

Abdixhiku vuri theks të veçantë në formimin intelektual të Rugovës duke e cilësuar letërsinë dhe kulturën si armën e tij më të fuqishme politike. Sipas tij, kalimi i Rugovës nga bota akademike në politikë nuk ishte ndërrim profesioni, por vazhdimësi logjike e mbrojtjes së identitetit dhe dinjitetit kombëtar.

Duke folur për periudhën e rezistencës paqësore, Abdixhiku tha se themelimi i LDK-së ishte akt mbijetese kombëtare dhe se Rugova ndërtoi institucione edhe në mungesë të shtetit. “Shkollat në shtëpi private dhe organizimi paralel nuk ishin vetëm shërbime, por deklarata politike se Kosova nuk dorëzohej,” u shpreh ai.

Ai theksoi se Rugova e bëri Kosovën fillimisht realitet moral në sytë e botës duke ndërtuar legjitimitet ndërkombëtar përmes qetësisë, dialogut dhe këmbënguljes, e jo përmes zhurmës apo kërcënimeve. “Ai nuk ua ngrinte zërin diplomatëve, por ua ngrinte ndërgjegjen,” tha Abdixhiku.

Në pjesën përmbyllëse, kryetari i LDK-së theksoi se trashëgimia e Rugovës nuk është nostalgji, por përgjegjësi e përditshme. Ai nënvizoi se Rugova nuk la një emër për t’u përdorur, por një shtet për t’u mbrojtur duke shtuar se politika duhet të mbetet shërbim, e jo përfitim.

“Ta nderosh Rugovën do të thotë të ndërtosh institucione që funksionojnë, të respektosh ligjin dhe mendimin ndryshe, dhe të ruash qetësinë edhe në kohë tundimesh,” deklaroi Abdixhiku.

Në fund, ai bëri thirrje që rugovizmi të mbahet gjallë jo me fjalë e ceremoni, por me drejtësi, punë dhe respekt për shtetin. “Le të mos themi vetëm se na mungon Rugova, por se po mundohemi ta meritojmë,” përfundoi Abdixhiku.

Akademia përkujtimore u mbyll me mesazhin se Ibrahim Rugova mbetet udhërrëfyes i përhershëm i shtetit të Kosovës dhe një nga figurat më të mëdha të historisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.