Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar në mbyllje të vitit pas rezultatit të zgjedhjeve duke e cilësuar atë si të dhimbshëm, por një verdikt që duhet respektuar pa asnjë rezervë.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve, Abdixhiku theksoi se rezultati nuk ishte ai që ai dhe LDK-ja synuan, por se vendimi i qytetarëve është themeli i demokracisë. “Para këtij vendimi përulemi me respekt”, u shpreh ai.
Abdixhiku falënderoi të gjithë aktivistët, simpatizantët dhe strukturat e partisë për angazhimin dhe sakrificën gjatë fushatës duke pranuar hapur zhgënjimin që ndjehet pas humbjes. Ai theksoi se besimi në Kosovë, demokraci dhe të ardhmen nuk duhet të shuhet.
Duke e cilësuar vitin që po mbyllet si një periudhë reflektimi personal dhe politik, Abdixhiku tha se ka dhënë maksimumin me ndershmëri dhe përkushtim, por pranoi se ndonjëherë edhe kjo nuk mjafton. Ai paralajmëroi një fazë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie brenda LDK-së duke shtuar se me kohë do t’i shpalosë të gjitha qëndrimet e tij.
“Çfarëdo që sjell e nesërmja, unë do të jem gjithmonë në shërbim të vendit tim”, theksoi Abdixhiku.
Në fund, ai ndau edhe një moment personal duke thënë se fundviti do t’i shërbejë për t’ia kushtuar kohën e munguar familjes dhe dy vajzave të tij.
Mesazhin e mbylli me urimin për Vitin e Ri 2026 duke dëshiruar më shumë butësi, drejtësi dhe njerëzi për Kosovën, si dhe shëndet e paqe për të gjitha familjet.

Leave a Reply