​Abdixhiku: LDK nuk vjen të pastrojë të shkuarën, por të ndërtojë të ardhmen e Kosovës

​Abdixhiku: LDK nuk vjen të pastrojë të shkuarën, por të ndërtojë të ardhmen e Kosovës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku tha se ekipi i tij nuk vjen për të pastruar të shkuarën e as të përçajë popullin e Kosovës.

Në tubimin përmbyllës të fushatës në Prishtinë, ai tha se “LDK nuk është parti e momentit, por e momenteve historike” dhe se vetëm kjo parti mund ta nxjerrë vendin nga kriza pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kreu i LDK-së tha se lista prej 110 kandidatëve është shpresa e vendit, dhe se ky vizion është më i nevojshëm se kurrë.

Abdixhiku: Ekipi ynë nuk vjen të pastrojë të shkuarën

“Ky ekip nuk vjen të pastrojë të shkuarën. Vjen të ndërtojë të ardhmen. Ekipi ynë nuk vjen të përçajë popullin e Kosovës. Vjen t’i bashkojë njerëzit. Ekipi ynë nuk vjen të flasë për fajet e të tjerëve. Vjen të punojë për të mirën e secilit; dhe një të ardhme të bukur që na qëndron para neve e na thërret me ngulm. Kosova duhet të ecë drejt asaj të ardhme, duke u çliruar nga e tashmja ngulfatëse që na mbanë te momentet përçarëse. Vizioni ynë është i qartë, është perëndimor dhe i pakthyeshëm. Ne besojmë te Kosova e hapur, jo e mbyllur. Te Kosova me aleatë, jo Kosova në përballje me ta. Te Kosova që merr pjesë në botë, jo Kosova që fshihet. Te drejtësia që funksionon, tek ekonomia që zhvillohet, te punësimi që krijohet, tek arsimi që edukon, te mjekësia që shëron, te siguria që garanton, te diplomacia që respektohet”, përfundoi ai.

Kandidati i LDK-së për kryeministër tha se Kosova është lodhur nga keqpërdorimi dhe gënjeshtra.

Abdixhiku: LDK nuk është parti e momentit por e momenteve historike

“Sonte nuk jemi këtu vetëm për të mbyllur një fushatë, jemi këtu për ta hapur një kapitull të madh, jemi këtu për të thënë qartë se Kosova nuk është e lodhur nga demokracia, Kosova është e lodhur nga mashtrimi, Kosova nuk është e lodhur nga shteti, është e lodhur nga keqpërdorimi i tij. Dhe kur populli lodhet nga gënjeshtra, kërkon të vërtetën – ngrihet në këmbë. Sot, LDK-ja është ngritur në këmbë. E vërteta është kjo, është e zëshme, është e qartë, pa Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka stabilitet, pa LDK-në nuk ka orientim, pa LDK-në nuk ka shtet që flet me botën dhe nuk ka shtet që respekton qytetarin e vërtetë. Sepse LDK nuk është një parti e momentit, LDK-ja është parti e momenteve historike. Kur është dashur qetësi -LDK ka sjellë qetësi, kur është dashur guxim – LDK ka sjellë guxim, kur është dashur mençuri – LDK ka sjellë mençuri dhe sonte kur Kosovës i duhet shpresë e drejtim, le t’i japim vendit shpresë dhe drejtim”, deklaroi Abdixhiku.

Në takimet me qytetarët gjatë këtyre ditëve, Abdixhiku tha se kanë dëgjuar nevojat e tyre për shpresë, zhvillim dhe mirëqenie.

Abdixhiku premtoi se për çdo të porsalindur në Kosovë, nënat do të marrin 2400 euro në vit dhe premtoi rritje të pagave të punëtorëve të administratës së shtetit me koeficientin 150. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.