Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar sot listën zgjedhore të subjektit të tij, të cilën e ka quajtur “Lista e Shpresës”, një përbërje që, sipas tij, bashkon përvojën, profesionalizmin dhe energjinë e një gjenerate që kërkon ndryshim të vërtetë për vendin.
Abdixhiku tha se çdo emër i kësaj liste qëndron mbi vlera të qarta: integritet, besim dhe përkushtim ndaj shërbimit publik. Ai theksoi se LDK ka sjellë një kombinim harmonik të profesionistëve të dëshmuar, aktivistëve të përkushtuar të partisë, figurave me rol në ndërtimin e institucioneve dhe një gjenerate të re që kërkon përgjegjësi më të madhe.
“Sot paraqesim listën tonë të shpresës. Listën e njerëzve që besojnë në shtet, në ligj, në meritë dhe në të ardhmen euroatlantike të Kosovës,” u shpreh Abdixhiku duke shtuar se kjo listë përfaqëson vizionin për një të ardhme më stabile e më të drejtë.
Kreu i LDK-së tha se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë mundësia për ta kthyer vendin në normalitet, për t’i rikthyer institucioneve stabilitetin, ekonomisë zhvillimin dhe qytetarëve dinjitetin. Ai theksoi se rrugëtimi i LDK-së drejt fitores do të bëhet “me qetësi, dije e përkushtim” duke besuar se qytetarët do të zgjedhin shpresën.
“Le të ecim bashkë. Për shpresën. Për shtetin. Për Kosovën tonë,” përfundoi Abdixhiku duke shoqëruar mesazhin me moton #LDK123.
Në këtë atmosferë optimizmi, LDK synon ta paraqesë veten si alternativa që garanton stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe orientim të qartë euroatlantik për vendin.

Leave a Reply