Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në adresimin e tij para Këshillit të Përgjithshëm të partisë, deklaroi se LDK është e përgatitur të marrë përgjegjësinë e qeverisjes dhe të rikthejë stabilitetin institucional në vend. Ai tha se partia është gati të udhëheqë me dinjitet, të korrigjojë dëmet e shkaktuara gjatë viteve të fundit dhe të sjellë një qasje të re evropiane në qeverisje.
“LDK është gati ta marrë timonin, gati të japë qeverisje të dinjitetshme, të zhbëjë dëmet e bëra, të sjellë standard evropian të punës dhe politikës, si dhe ta rikthejë Kosovën në rrugën e saj origjinale euroatlantike. Jemi gati të rifitojmë besimin e qytetarëve dhe respektin e aleatëve”, u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK po hyn në një cikël të ri elektoral me forcë të qëndrueshme, bazuar në përvojën, traditën dhe stabilitetin e saj organizativ. Sipas tij, Kosova ka nevojë për maturi dhe stabilitet politik, vlera që, siç tha ai, i përfaqëson vetëm LDK-ja.
Abdixhiku u kërkoi strukturave të partisë unitet, përgjegjësi dhe një mesazh të qartë për qytetarët në këtë fazë të rëndësishme. “Qytetarët e Kosovës po na matin dhe nga ne presin drejtim për vendin”, theksoi ai duke insistuar se nga kjo mbledhje duhet të dalë “një zë i vetëm dhe i vendosur”.
Kreu i LDK-së kritikoi gjendjen aktuale politike duke e cilësuar Kosovën si të futur në “qorrsokak institucional”. Ai akuzoi qeverinë për mungesë të moralit demokratik, mungesë përgjegjësie qytetare dhe dëmtim të aleancave strategjike që kanë garantuar sigurinë e vendit për dekada.
“Vendi është i lodhur nga krizat e panevojshme dhe përplasjet e vazhdueshme. Nuk është kjo Kosova për të cilën kemi punuar dhe sakrifikuar”, tha Abdixhiku.
Në adresimin e tij ai foli edhe për gjendjen ekonomike duke përmendur ekonominë e ngurtë, bizneset e lodhura dhe investimet e bllokuara, të cilat, sipas tij, po rëndojnë jetën e qytetarëve dhe po frenojnë zhvillimin.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 28 dhjetor, ndërsa LDK synon të rikthehet në pushtet si forcë e stabilitetit politik dhe institucional në vend.
Ndryshe, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së unanimisht vendosi dhe aprovoi vendimin e Kryesisë Qendrore që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të jetë kandidat për kryeministër të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply