Alban Zogaj dhe Përparim Rama kërkojnë unitet dhe mobilizim maksimal në prag të zgjedhjeve të parakoshshme parlamentare duke theksuar se rezultatet në Kryeqytet janë prova më e fortë e kapaciteteve të LDK-së
Zogaj njofton Ramën: Dega e Presidentit Rugova rekord votash – fituat në 7 nga 8 qendrat
Alban Zogaj, kryetar i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, i ka uruar mirëseardhjen dhe fitoren Përparim Ramës në kuadër të turit të tij falënderues pas fitores në kryeqytet.
Zogaj e ka informuar Ramën për rezultatet e detajuara të rundit të parë dhe të balotazhit në territorin e kësaj dege duke theksuar se LDK-ja ka dalë fituese bindshëm në të dyja rundet.
“Edhe në rundin e parë, edhe në të dytin, ju keni dalë fitues në territorin e degës së tretë. Nga 8 qendra votimi, vetëm në ‘Ismail Qemali’ keni qenë të dytit, ndërsa në shtatë të tjerat keni fituar bindshëm,” tha Zogaj.
Ai bëri të ditur se rezultatet e votimit kanë qenë mbresëlënëse: “Në rundin e parë kemi marrë gati 10,000 vota, ndërsa në rrethin e dytë kemi arritur në 14,231 vota, sa një komunë e tërë. Një numër vërtet impozant.”
Zogaj theksoi se dega e tretë është tashmë një prej strukturave më të rëndësishme të LDK-së në kryeqytet: “Kjo është dega më e madhe – në kuptim të votës, të elektoratit, dhe pothuajse edhe në sipërfaqe territoriale.”
Rama: Kemi fituar vetë, me punë e me rezultate
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka bërë thirrje strukturave të partisë për mobilizim të plotë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duke theksuar se LDK ka arsyet, rezultatet dhe energjinë për një fitore të re.
Në një adresim para strukturave të degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova, Prishtinë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë një mesazh të fortë mobilizues duke theksuar se LDK ka kapacitetin dhe legjitimitetin për të rimarrë qeverisjen qendrore.
Rama ka theksuar se partia ka kaluar nëpër sfida të shumta, por ka arritur rezultate të prekshme në nivel lokal, të cilat sipas tij përbëjnë bazën më të fortë për të kërkuar besimin e qytetarëve edhe në nivel shtetëror.
“Na kemi pas nivelin qendror më të fortë, e kemi përgjegjësinë më të madhe dhe transformimin më të mundshëm për Kosovën. Krejt çka kemi arritur, e kemi fituar vetë, nuk na ka dhënë askush,” deklaroi Rama.
Ai ka theksuar se puna e bërë në Kryeqytet është provë e qartë e kapacitetit të LDK-së për të qeverisur me rezultate konkrete: “Katër vitet e fundit kemi pasur projekte reale, kemi pasur çka me tregu. Po ashtu kemi edhe arsye për me u mbështet e me pas besim se puna shpaguhet kur fitojmë. Kemi fitu vetë, me punë.”
Rama tha se sfidat me qeverinë qendrore nuk e kanë ndalur punën në Prishtinë, por vetëm e kanë forcuar bindjen se LDK ofron stabilitet dhe rezultate.
“Përballë një qeverie që shpesh ka qenë kundër nesh, s’kemi pasur asgjë të lehtë. Por kemi projekte, kemi rezultate dhe kemi arsye të forta pse duhet me qeverisë Kryeqytetin dhe pse duhet me qeverisë edhe Kosovën.”
Në përmbyllje, ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve dhe kandidatëve të LDK-së për unitet dhe angazhim të plotë.
“Ky vit duhet të kulmojë me një fitore të madhe – për Prishtinën, për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Urime të gjithëve, kjo është arsye për me qenë krenarë.”
Adresimi u mbyll me duartrokitje, ndërsa Rama kërkoi që energjia e fundit e vitit të shndërrohet në mobilizim për fitoren e radhës në zgjedhjet e ardhshme.

Leave a Reply