Rama: Prishtinën do ta bëjmë unike, me vizion transformues

Rama: Prishtinën do ta bëjmë unike, me vizion transformues

Salla e mbushur plot e ShFMU “Ismail Qemajli” ka qenë ndalesa e radhës e fushatës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili u është përgjigjur kritikave të rivalëve për krijimin e shesheve duke i quajtur ato “argumente amatoreske, naive dhe të paqarta për kompleksitetin e problemit madhor të trafikut”.

Duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen masive, Rama tha se dashuria dhe besimi i tyre i japin forcë shtesë për të çuar përpara transformimin e kryeqytetit. Ai theksoi se vizioni i tij është afatgjatë duke prezantuar projektin 8-vjeçar që, sipas tij, tashmë po jep rezultate konkrete.

“Shumë projekte i kemi përfunduar, shumë të tjera janë në fazë përfundimi. Ka pasur përpjekje për t’i ndalur, por nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë. Ne vazhdojmë punën pa u ndalur,” u shpreh Rama.

Duke iu përgjigjur ironive të kundërshtarëve që e kanë akuzuar se po përpiqet ta bëjë Prishtinën “Dubai”, ai tha: “Unë dua ta bëj Prishtinën unike, me identitetin e saj, qytetin tonë të zemrës. Projektet tona fillimisht u quajtën ‘vizatime’, por sot janë realitet i prekshëm, të analizuara profesionalisht e të zbatuara me një ekip të mrekullueshëm.”

Rama përmendi rekordin historik në realizimin e buxhetit, mbi 80% vitin e kaluar duke theksuar se ky nivel është arritur pavarësisht “bllokadave e sabotimeve”. Ai renditi projektet që kanë nisur nga ndriçimi e pastrimi i hapësirave publike, trajtimi i qenve endacakë, rinovimi i rrugëve dhe hapësirave sportive, deri tek parqet e reja dhe shërbimet e shëndetit familjar.

Në fokus ishte edhe investimi prej 2.4 milionë eurosh në partneritet me KFW për ShFMU “Ismail Qemajli”, që pritet të nisë vitin e ardhshëm, si dhe përfundimi i ndërtimit të 10 shkollave të reja në periferi për të lehtësuar ngarkesën. Ai përmendi gjithashtu mësimin tërëditor në 12 shkolla, me shujta të dizajnuara nga nutricionistë, pajisje digjitale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin arsimor.

Në fushën e transportit, Rama tha se Parkingun e Prishtinës e kanë avancuar në standarde evropiane me sensorë modernë dhe sisteme të qytetit të mençur, ndërsa zgjidhjen e trafikut e sheh tek unazat e jashtme dhe të brendshme, planifikimi urban dhe ndërtimi i shkollave të reja, e jo tek hapja e një sheshi.

“Prishtina ka një energji të jashtëzakonshme. Ne e dimë rrugën ku po shkojmë dhe së bashku me qytetarët po e transformojmë për të mirën e të gjithëve, nga fëmijët deri te të moshuarit. Besimi juaj në vizionin tonë transformues është forca jonë. Prishtinën do ta çojmë përpara, përtej pritshmërive, për të mirën e të gjithëve”, tha Rama.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Rama zhvilloi edhe një bashkëbisedim të hapur me qytetarët e pranishëm, ku u diskutuan sfidat konkrete të lagjes dhe u dhanë propozime për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike. Ai i siguroi qytetarët se zëri i tyre do të mbetet pjesë e pandashme e vendimmarrjes në projektet e ardhshme të kryeqytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.