Abdixhiku dhe Rama në takim me strukturat: Fitorja në kryeqytet, çelës për ndryshimin politik në Kosovë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur mobilizimin e përgjithshëm për zgjedhjet e 12 tetorit duke mbajtur një tubim në Prishtinë me pjesëmarrjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit aktual të kryeqytetit, Përparim Rama.
Abdixhiku: Prishtina është zemra e politikës sonë
Abdixhiku falënderoi strukturat për punën e deritanishme dhe i cilësoi degët e Prishtinës si model të organizimit politik në nivel vendi. Ai rikujtoi se në zgjedhjet e 9 shkurtit LDK dyfishoi votën në kryeqytet, nga 16 mijë në 32 mijë vota duke e quajtur këtë dëshmi të angazhimit të anëtarësisë.
Abdixhiku u shpreh i bindur se Përparim Rama do të fitojë edhe një mandat tjetër katërvjeçar në krye të Prishtinës.
“Prishtina është zemra e politikës sonë dhe modeli ynë më i mirë i organizimit. Gara që kemi përpara është e vështirë dhe vendimtare, jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë skenën politike të Kosovës. Me entuziazëm dhe me punë në terren, fitorja është e garantuar. Por kjo fitore kërkon angazhim nga secili prej nesh, në çdo lagje, çdo nëndegë dhe çdo familje”, tha Abdixhiku.
Kryetari tha se vija e parë e organizimit janë nëndegët dhe kryetarët e tyre.
Abdixhiku kërkoi nga strukturat të sigurojnë pjesëmarrje të gjerë dhe të hapin dyert e tubimeve për qytetarë të rinj që nuk kanë qenë tradicionalisht votues të LDK-së.
Ai njoftoi se hapja e madhe e fushatës së LDK-së do të mbahet më 13 shtator në Pallatin e Rinisë duke e cilësuar atë si pikënisjen e ngritjes së re të partisë.
Rama: Një ditë angazhim vlen katër vite qeverisje
Në fjalën e tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi rëndësinë e një fitoreje pa balotazh, që sipas tij do të siguronte stabilitet në qeverisjen e kryeqytetit. Ai përmendi sfidat e katër viteve të fundit, si menaxhimi i mbeturinave dhe bllokadat e shkaktuara nga kompani rajonale duke u shprehur se me shumicë të plotë në Kuvendin Komunal këto probleme do të tejkalohen.
“Një ditë angazhim në fushatë vlen për katër vite qeverisje. Këto 30 ditë janë vendimtare për të ardhmen e Prishtinës dhe të Kosovës. Na duhet një asamble e fuqishme dhe një mobilizim i përgjithshëm, sepse vetëm kështu mund ta çojmë përpara vizionin tonë për një kryeqytet modern dhe për një Kosovë që ecë përpara. Ne kemi ide, plane dhe vizion të qartë, të tjerët vetëm kopjojnë. Është koha ta bëjmë diferencën”, u shpreh Rama.
Ai e lidhi fitoren lokale të LDK-së në Prishtinë me perspektivën e qeverisjes në nivel qendror duke nënvizuar se LDK është alternativa e vetme serioze për rikthimin e stabilitetit dhe zhvillimit në vend.
Fushata derë më derë
LDK paralajmëroi se gjatë 30 ditëve të ardhshme fushata do të shtrihet në çdo lagje e çdo familje të kryeqytetit, me synimin për të fituar jo vetëm në Prishtinë, por edhe për të krijuar një frymë të re politike që do të reflektojë në gjithë Kosovën.

Leave a Reply