Rama prezantoi te arriturat me banorët e Velanisë

Rama prezantoi te arriturat me banorët e Velanisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me banorët e lagjeve Velania 1 dhe Velania 2 në shkollën fillore “Iliria”, ku shpalosi arritjet dhe prioritetet për mandatin e ardhshëm.

Rama falënderoi qytetarët për besimin e dhënë katër vite më parë dhe kujtoi lidhjen e tij personale me këtë zonë duke theksuar se një pjesë e projekteve të premtuara tashmë janë realizuar, ndërsa të tjera janë në proces.

Ai vuri theks të veçantë tek transformimi i arsimit me mësimin tërëditor, ndërtimin e 10 shkollave të reja dhe zbatimin e kurrikulës digjitale. Rama tha se deri në fund të vitit, çdo klasë në kryeqytet do të jetë e pajisur me tableta dhe se ushqimi i shëndetshëm në shkollat tërëditore ka ndikuar pozitivisht edhe në ekonominë familjare.

Në fushën e transportit publik, Rama nënvizoi ristrukturimin e linjave, biletën ditore prej 80 centësh dhe kontratat e reja me operatorët privatë, që sipas tij garantojnë qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në të gjitha lagjet e Prishtinës. Ai përmendi gjithashtu shenjëzimin e linjave të autobusëve dhe investimet në rrugë të reja e më të sigurta në Velani.

Kryetari foli edhe për sfidat me qentë endacak duke thënë se falë programit të adaptimit me subvencion prej 50 eurosh për familje, janë zvogëluar rreth 2,000 qen në hapësirat publike. Ai përmendi po ashtu projektet për ndriçimin publik, restaurimin e shkollave dhe përpjekjet për shtrirjen e termokosit, e cila sipas tij është vonuar për shkak të bllokadave politike në nivel qendror.

Një tjetër çështje që Rama ngriti ishte problemi i pronësisë në këto zona duke theksuar se komisioni përkatës është në fazën përfundimtare të vendimmarrjes dhe se procesi shumë shpejt pritet të marrë epilog.

Takimi përfundoi me një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë me banorët, ku Rama siguroi se do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e kryeqytetit në të gjitha sferat e jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.