Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka mbajtur fjalimin e tij të parë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, por jo në rrethana që ai i kishte imagjinuar. Në një deklaratë publike, Zogaj tha se kishte shpresuar që fjala e tij e parë në Kuvend të ishte për ekonomi, zhvillim, projekte dhe ide për të ardhmen e vendit. Por u detyrua të reagojë për të mbrojtur Kushtetutën.
“Nuk e kam menduar asnjëherë kështu daljen time të parë në foltoren e Kuvendit! E kam imagjinuar ndryshe, të flas për ekonomi, për zhvillim, për projekte, për infrastrukturë dhe për idetë që i kam për vendin tim,” deklaroi Zogaj.
Ai tha se doli për të kërkuar nga Kryesuesi i Kuvendit vetëm një gjë: të mos e shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Fjalimi i tij, sipas tij, nuk ishte i motivuar nga dëshira politike, por nga një detyrim moral dhe institucional.
“Nuk e bëra këtë fjalim me dëshirë, por me detyrim moral dhe institucional. Sepse heshtja përballë shkeljes së Kushtetutës është bashkëpjesëmarrje. Demokracia kërkon zë. Dhe UNË do të jem aty përherë!”, theksoi deputeti Zogaj.

Leave a Reply