Abdixhiku: Kushtetuesja e thotë qartë se votimi duhet të jetë i hapur

Abdixhiku: Kushtetuesja e thotë qartë se votimi duhet të jetë i hapur

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi i Kushtetueses specifikon që votimi i kryekuvendarit duhet të bëhet në mënyrë të hapur.

“Ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese që e thotë qartë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet sipas praktikave parlamentare të deritanishme. Praktikat parlamentare janë të qarta, votimi ka qenë gjithmonë i hapur, partia e parë duhet të propozojë dhe të sigurojë shumicën për kandidatin që e propozon. LDK nuk ka emra sa i përket kandidatit, ka qëndrim parimor dhe me plotë vullnet”, ka thënë ai.

Ai e ka quajtur procesin e kalimit nga votimi i hapur të kryekuvendarit në votim të fshehtë si proces arbitrar që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka lëvizje nga pozicionet që e kanë shkaktuar krizën deri më tani. S’mund ta quash kompromis insistimin e pozicionit tënd paraprak. Bëjeni zgjidhjen. Kompromisi pas aktgjykimit është i pakuptimtë. Tani duhet zbatuar aktgjykimin përndryshe do të ketë shkelje”, ka thënë Abdixhiku, teksa ka thënë se sipas tij, VV, ka bërë shkelje të Kushtetutës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.