Kryetari i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë dhe deputeti i saj, Alban Zogaj, ka përkujtuar sot 35-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 duke e cilësuar atë si një nga momentet më madhore në historinë politike të Kosovës.
Në një mesazh, Zogaj tha se ky akt përfaqësonte një shpërthim të vullnetit popullor për liri, barazi dhe vetëvendosje duke qenë themeli i shtetësisë së Kosovës.
“Ky akt historik ishte themeli i parë drejt shtetformimit të Kosovës, dhe një ndër gurët më të rëndë të rrugës sonë drejt pavarësisë. Ishte vizioni i Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe përkushtimi i paepur i Lidhjes Demokratike të Kosovës që i dha popullit besim, kurajë dhe drejtim,” theksoi Zogaj.
Ai shtoi se trashëgimia e 2 korrikut nuk duhet të mbetet vetëm në përkujtim, por të përkthehet në veprim dhe përkushtim të vazhdueshëm për ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar.
“Sot, ne, pasardhësit e kësaj rruge politike, kemi detyrën ta nderojmë këtë trashëgimi me përgjegjësi, me punë dhe me përkushtim për një shtet demokratik, të zhvilluar dhe të integruar në strukturat euroatlantike,” tha ai.
Zogaj përmbylli mesazhin me një thirrje për të qëndruar besnik ndaj parimeve që u vulosën më 2 korrik duke kujtuar se rruga drejt dinjitetit dhe drejtësisë për çdo qytetar vazhdon.
“Lavdi jetës dhe veprës së të gjithë atyre që guxuan më 2 korrik. Rruga jonë mbetet e qartë: drejtësi, zhvillim dhe dinjitet për çdo qytetar të Kosovës,” përfundoi Zogaj.
2 korriku i 1990-s – Gurthemeli i Republikës: Asamblistët e Prishtinës nderojnë Deklaratën Kushtetuese
Me rastin e 34-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Elmire Nikçi Rexha dhe Amir Simnica, kanë kujtuar me nderim këtë datë historike që shënoi hapin e parë drejt shtetësisë së Kosovës. Ata theksuan guximin, vizionin dhe sakrificën e delegatëve që sfiduan regjimin serb për t’i dhënë zë aspiratës për liri dhe Republikë.
Elmire Nikçi Rexha: 2 korriku ishte gurthemeli i Pavarësisë së Kosovës
Asamblistja Elmire Nikçi Rexha duke cituar presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, e përshkroi 2 korrikun si “gurthemelin e Pavarësisë së Kosovës”.
Ajo kujtoi se në atë ditë vendimtare të vitit 1990, përballë dhunës dhe represionit të pushtetit serb, delegatët shqiptarë miratuan Deklaratën Kushtetuese, aktin që hapi rrugën drejt krijimit të shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik.
“Sot kujtojmë me krenari fillimin e rrugës sonë drejt lirisë, që u kurorëzua më 17 Shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, theksoi ajo.
Simnica: Dita kur ëndrra për Republikë mori formë
Asamblisti Amir Simnica vlerësoi 2 korrikun si ditën kur ëndrra për Republikë u artikulua me guxim dhe përkushtim.
“Sot kujtojmë me nderim dhe krenari 2 korrikun e vitit 1990, ditën kur përfaqësuesit politikë të popullit të Kosovës, përkundër rrezikut dhe represionit, shpallën Deklaratën Kushtetuese dhe hodhën themelet e pavarësisë sonë”, deklaroi ai.
Simnica theksoi se kjo ditë nuk është thjesht një datë në kalendar, por një simbol i shpirtit të pathyeshëm të një populli që zgjodhi dinjitetin mbi nënshtrimin.
Ai bëri thirrje për ruajtjen dhe nderimin e këtij akti përmes veprave konkrete që forcojnë shtetin, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët.

Leave a Reply