Në 249-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryetari i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë dhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, ka theksuar rëndësinë e aleancës me SHBA-në dhe ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës gjatë mandatit të kaluar për refuzimin e disa projekteve strategjike me partnerin amerikan.
“E kemi pas mundësinë me prodhu edhe energji përmes gazit amerikan. Por ai projekt u refuzua nga ana e shtetit tonë, dhe për fat të keq është jashtë agjendës aktuale”, deklaroi Zogaj në emisionin Politiko.
Ai theksoi se Kosova sot ndodhet në një situatë të rëndë dhe se, sipas tij, mungesa e reagimit nga SHBA-ja është shqetësuese.
“SHBA-ja është partneri kryesor i Kosovës, është aleati më i madh që e kemi. Duhet të mburremi e ta forcojmë këtë aleancë, e jo ta zbehim. Sot jemi në një situatë të rëndë për vendin, dhe kur më së shumti na duhet ky partner, është i heshtur për momentin. Kjo heshtje është frikësuese. Dhe duhet me bë thirrje, ju lutem, ejani na ndihmoni në këtë bllokadë aktuale që jemi“, tha ai.
Zogaj, përmes këtij reagimi, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të angazhohen më fuqishëm për të ndihmuar Kosovën në sfidat e tanishme politike dhe ndërkombëtare.

Leave a Reply