Në një seancë solemne të mbajtur sot, është konstituuar legjislatura e 9-të e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila përbëhet nga 120 deputetë. Në mesin e tyre janë edhe 20 përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë edhe kryetarin e degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, “Dega e Presidentit Rugova”, Alban Zogaj.
Zogaj, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi mbështetjen e 19,025 qytetarëve, ka dhënë betimin si deputet dhe është zotuar se do të jetë një zë i denjë e i pandalshëm i qytetarëve të Republikës, pa dallime politike, etnike apo sociale.
BETIMI
Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.
Betohem!
“Besimi i qytetarëve është përgjegjësi e madhe. Do të punoj me përkushtim për interesin publik dhe për një Kosovë më demokratike, më të drejtë dhe më zhvillimore,” ka deklaruar Zogaj pas betimit.
Me konstituivin e legjislaturës së re, Kuvendi do të nisë punën legjislative në një klimë të re politike, ku pritet të adresohen sfida të rëndësishme për vendin, nga ekonomia te sundimi i ligjit dhe integrimi euroatlantik.
Leave a Reply