Dega e tretë e LDK-së hap fushatën në Lagjen e Spitalit: vizion për një Kosovë më të mirë

Dega e tretë e LDK-së hap fushatën në Lagjen e Spitalit: vizion për një Kosovë më të mirë

Në një atmosferë entuziazmi dhe mobilizimi, Dega e tretë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, hapi zyrtarisht fushatën në nëndegën e Lagjes së Spitalit, ku morën pjesë qindra qytetarë, aktivistë dhe figura të partisë.


Bajrami: Ata të tjerët t’i çojmë në shtëpi

Kryetari i nëndegës, Leutrim Bajrami, ka falënderuar të pranishmit duke thënë se “Lumiri na ka mësuar që sallat me i mbush plot dhe me iu tregua të gjithëve se ndryshimi po vjen në Kosovë”.

“Kjo është lagje që unë e dua, kjo është LDK-ja. Kështu na kanë mësuar prej fillimit, me Dr. Ibrahim Rugovën edhe kështu kemi me vazhdua sot, nesër, e deri më 9 shkurt, deri sa ata të tjerët t’i çojmë në shtëpi”, tha Bajrami.

Ai tha se, nuk do merrem me ta, se ata e kanë treguar vetveten.


Zogaj premton vizion për një Kosovë më të mirë

Në fjalimin e tij, kryetari i Degës së tretë dhe kandidati për deputet, Alban Zogaj, shprehu mirënjohjen ndaj strukturave të partisë dhe qytetarëve për përkrahjen e tyre të palëkundur. Ai theksoi rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen e Kosovës, duke premtuar, angazhime konkrete në fusha kyçe si arsimi, ekonomia, shëndetësia dhe drejtësia.

“Ne jemi në një pikë kritike ku duhet të ndërtojmë të ardhmen që duam për familjet tona, të rinjtë tanë dhe çdo qytetar që kërkon një jetë më të mirë në Kosovë,” tha Zogaj.

Ai ndau një vizion të qartë për zhvillimin e vendit duke premtuar përmirësimin e arsimit, krijimin e vendeve të reja të punës dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Zogaj gjithashtu vlerësoi liderin e partisë, Lumir Abdixhikun, duke e cilësuar atë si një udhëheqës vizionar që garanton të ardhmen më të ndritur për Kosovën.

Gjatë tubimit, Zogaj prezantoi kandidatët e Degës së tretë për deputetë: Doruntinë Maloku (15), Ema Nikçi (39), Sokol Havolli (40) dhe veten e tij (28), duke theksuar profesionalizmin dhe përvojën e tyre si një aset i çmuar për parlamentin e ardhshëm.

“E ardhmja e Kosovës është në duart tona,” deklaroi Zogaj. “Bashkë, ne mund të ndërtojmë një të nesërme më të ndritshme për të gjithë.”

LDK-ja synon të fuqizojë mbështetjen në zonat urbane të Prishtinës, duke vendosur theksin në bashkimin e elektoratit dhe përfshirjen aktive të qytetarëve në rrugëtimin drejt zgjedhjeve të 9 shkurtit.


Maloku: “Rruga e Re” e LDK-së, shpresa për një Kosovë më të mirë

Ndërsa kandidatja për deputete, Doruntina Maloku, mbajti një fjalim frymëzues, ku theksoi se “Rruga e Re” e Lidhjes Demokratike të Kosovës është përgjigjja që vendi ka nevojë për zhvillim dhe mirëqenie.

“Pas katër viteve angazhimi intensiv për t’iu kthyer bazës dhe dëgjimit të qytetarëve, LDK-ja ka krijuar një program gjithëpërfshirës që reflekton nevojat e çdo qytetari,” tha Maloku. “Ky program, të cilin e quajmë ‘Rruga e Re,’ është një platformë për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar.”

Maloku theksoi se Kosova ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe se vendit i duhet një qasje e re për të adresuar sfidat në: zhvillimin ekonomik, sistemin arsimor, shëndetësinë, mirëqenien sociale, të drejtat e pensionistëve, mësuesve dhe të rinjve.

“Është koha që të solidarizohemi dhe të bashkohemi në këtë betejë të fundit, që më 9 shkurt të fillojmë ndryshimin që Kosova e meriton,” u shpreh ajo.

Ajo bëri thirrje për përkushtim maksimal për të rikthyer LDK-në në krye të qeverisjes së Kosovës, duke e quajtur partinë një shtyllë të qëndresës dhe shtetformimit në vend.

“LDK-ja është partia që e ka ndërtuar këtë shtet dhe që do ta drejtojë atë me dinjitet. Me përkrahjen tuaj, ne do ta vendosim Kosovën në rrugën e duhur,” përfundoi Maloku.


Elmire Nikçi Rexha: Nga Lagjja e Spitalit fillon rruga e ndryshimit për Kosovën

Edhe kandidatja për deputete, Elmire Nikçi Rexha, shpalosi vizionin dhe mesazhin e saj për ndryshimin që synon ta sjellë partia në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në prani të kryetarit të Degës së Tretë, Alban Zogaj, dhe strukturave të tjera të partisë, Nikçi Rexha theksoi rëndësinë e këtij momenti për Kosovën, duke e cilësuar këtë hapje të fushatës si fillimin e një rruge të re për vendin.

“Lagjja e Spitalit sot frymon ndryshe,” deklaroi ajo. “Nga këtu, fillon ndryshimi, fillon rruga për një Kosovë më të drejtë, më dinjitoze dhe më të zhvilluar.”

Nikçi Rexha falënderoi veçanërisht kryetarin e nëndegës, Leutrim Bajramin, dhe kryetaren e Forumit të Gruas, Resmije Shabanin, për punën dhe angazhimin e tyre të palodhshëm. Ajo vlerësoi gjithashtu energjinë dhe unitetin që karakterizon LDK-në, duke kujtuar periudhën e udhëheqjes nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Në fjalimin e saj, ajo kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke e akuzuar për korrupsion dhe dështime të rënda.

“Po qeverisemi nga njerëz që nuk e duan këtë vend, që e shkatërrojnë dhe e vjedhin. Por unë besoj se më 9 shkurt, do të ndalim këtë mendësi të shkatërrimit dhe do t’i rikthejmë Kosovës dinjitetin dhe demokracinë.”Nikçi Rexha apeloi te qytetarët që të mbështesin LDK-në dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun, duke i ftuar të votojnë numrin 124, simbolin e LDK-së.

“Rrugën e bëjmë bashkë dhe fitoren do ta sjellim së bashku! Mos e harroni, 124 është numri ynë!” përfundoi ajo mes duartrokitjeve entuziaste të pjesëmarrësve.

Tubimi u mbyll me entuziazëm dhe mbështetje nga strukturat e partisë dhe qytetarët, të cilët shprehën përkushtimin për të mbështetur LDK-në dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun, në zgjedhjet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.